Ulpiana Marke e fitoi çmimin e parë në festivalin “Bilbilat e Korabit” në Dibër

Ulpiana Marke është fituesja e çmimit të parë të jurisë në edicionin e 16-të të festivalit për fëmijë “Bilbilat e Korabit”, që u mbajt mbrëmë në Dibër. Në skenën e festivalit u paraqitën 18 fëmijë, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Ohri dhe Struga, duke sjellë një mbrëmje plot këngë dhe emocione, shkruan Portalb.mk.

Ulpiana Marke, fituesja e edicionit të gjashtëmbëdhjetë të festivalit “Bilbilat e Korabit”, për Portalb.mk shprehu emocionet pas marrjes së çmimit të saj të parë.

“Jam shumë e emocionuar, aq sa më vjen të qaj nga gëzimi. Kur mësova se isha fituese, për pak harrova edhe këngën time. Ky është çmimi im i parë dhe patjetër që më motivon të vazhdoj më tej. Dëshiroj të marr pjesë edhe në festivale të tjera dhe të sjell këngë të reja. Për projektin e radhës, dua të realizoj një këngë kushtuar natyrës. Mesazhi im për të gjithë ata që e duan këngën është të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos dorëzohen, as në ditët e vështira”, tha Marke.

Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk
Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk

Kryetari i festivalit, Zinqe Memedinovski, për Portalb.mk u shpreh i kënaqur me organizimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se emocionet e fëmijëve u përcollën edhe te organizatorët, autorët dhe publiku.

Sipas tij, interesimi për pjesëmarrje ishte jashtëzakonisht i madh, madje i mjaftueshëm për të organizuar disa net festivali. Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare, programi i këtij edicioni u përqendrua në 18 këngë.

Memedinovski theksoi se organizimi i një festivali të tillë në një qytet të vogël si Dibra paraqet sfidë të veçantë, sidomos për sigurimin e mjeteve financiare dhe mbulimin e shpenzimeve teknike. Pavarësisht vështirësive, ai tha se organizatorët janë të vendosur ta ruajnë origjinalitetin dhe identitetin e festivalit, pa kopjuar formatin e festivaleve të tjera.

Duke folur për rëndësinë e “Bilbilave të Korabit”, Memedinovski vlerësoi se festivali është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme për zbulimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja muzikore.

Si shembuj të suksesit të festivalit, ai përmendi Marigona Markën, e cila ka fituar vendin e tretë në “Nota Fest”, si dhe Klea Çutrën, Jozefina Janin dhe Era Kojën, të cilat, sipas tij, kanë potencial për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në muzikën shqiptare.

Një tjetër veçori e festivalit, sipas Memedinovskit, është larmia e repertorit. Krahas këngëve tradicionale për fëmijë, festivali u jep hapësirë edhe këngëve me karakter argëtues, duke iu përshtatur shijeve dhe interesimeve të brezave të rinj.

Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk
Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk

Me çmime nga juria u vlerësuan edhe Liridona Celina, Ersa Marke, Furkan Ali dhe Rajla Medoli.

Çmimin e parë për interpretimin më të mirë e fitoi Marigona Erebara, të dytin Erina Ameti, ndërsa të tretin Esma Aliu. Për paraqitjen skenike, çmimi i parë iu nda Greis Gajdës, i dyti Ejona Lleshit dhe i treti Abigajla Shaqolit.

Publiku vlerësoi me çmimin e parë Amar Telqiun, ndërsa me të dytin Linea Hasanin. Në kategorinë “Best Talent” u shpërblyen Malda Dika dhe Teona Shini, kurse në kategorinë “Best Hit” u vlerësuan Berina dhe Noela Dika.

Përveç emocioneve të garës, festivali solli edhe një atmosferë të ngrohtë mes interpretuesve dhe publikut. Salla ishte përplot me fëmijë, të cilët kënduan së bashku me këngëtarët e vegjël dhe i shoqëruan paraqitjet e tyre me duartrokitje. Buzëqeshjet dhe entuziazmi i tyre e kthyen mbrëmjen në një festë të përbashkët.

Me edicionin e tij të 16-të, “Bilbilat e Korabit” vazhdon traditën e këngës për fëmijë në Dibër, duke u dhënë hapësirë talenteve të reja dhe duke bashkuar në skenë fëmijë nga vende e qytete të ndryshme.

Festivali u përkrah nga Komuna e Dibrës,  dhe disa mbështetës të tjerë.

Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk
Foto nga edicioni i 16-të i festivalit “Bilbilat e Korabit”. Foto: Portalb.mk