Kuzeska: Pas rënies së Vuçiqit, Alta Banka po transferon para në Maqedoni, Prokuroria të hapë menjëherë hetim

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, pretendon se Alta Banka ka filluar të transferojë shuma të mëdha parash në Maqedoni dhe Rusi, duke kërkuar nga Prokuroria Publike të hetojë origjinën e tyre, transmeton Portalb.mk.

Kuzeska, duke iu referuar raportimeve të mediave serbe, tha se transferimet e pretenduara kanë filluar më 26 tetor, pas zgjedhjeve në Serbi. Sipas saj, portali “Nova.rs” ka transmetuar deklarata të avokatit Niniq, i cili pretendon se shuma të mëdha parash po transferohen në llogari të personave juridikë në Moskë dhe Shkup.

Ajo ngriti dyshime për origjinën e këtyre mjeteve dhe kërkoi nga Prokuroria Publike të hapë hetim për të përcaktuar burimin e parave dhe për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme.

Kuzeska akuzoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, se kanë lejuar hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas, duke pretenduar se banka ka lidhje të afërta me partinë serbe SNS dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Ajo gjithashtu pretendoi se pronari i bankës, Davor Macura, ka lidhje të afërta me Vuçiqin dhe SNS-në, ndërsa përmendi edhe propozime për vendosjen e sanksioneve ndaj tij në Kongresin amerikan.

Në fund, Kuzeska i bëri thirrje guvernatorit Sllaveski të dalë publikisht dhe të sqarojë se çfarë masash do të ndërmarrë, ndërsa kërkoi nga Prokuroria të nisë veprimet hetimore.

Pretendimet e paraqitura në kumtesën e LSDM-së nuk përbëjnë konstatime të verifikuara për paligjshmëri dhe kërkojnë konfirmim nga institucionet kompetente.

Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).

Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.

Kjo lëvizje kapitali përkon me paralajmërimet e fundit të Bashkimit Evropian. Raporti i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian (PE), tërheq vërejtjen për rritjen e ndikimit gjeopolitik të Rusisë dhe Kinës në rajon, ndërsa dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.