Rasti “Spiunimi“: As masa disiplinore e as kontrolle të jashtëzakonshme, nëntë muaj pas deklaratave të Mickoskit
Po mbushet një muaj pas riaktualizimit në publik të temës për ndjekjen e paligjshme të supozuar të personave publik përmes shërbimeve të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, në mesin e të cilëve është edhe kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Gjithçka filloi nga brifingu në ASK në të cilin drejtori Bojan Hristovski gazetarëve të ftuar u kumtoi se nga viti 2019 deri në vitin 2024 burimet e Agjencisë janë përdorur joligjërisht për ndjekje.
Nga atje kanë dërguar njoftime edhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
Pas kësaj nga Prokuroria njoftuan se me Agjencinë ishin dakorduar për dinamikën e shqyrtimit të dokumentacionit.
Nëntë muaj më parë nga foltorja në Kuvend Mickoski u ankua për një rast tjetër, se agjentë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në mënyrë të paligjshme e kishin ndjekur atë dhe familjen e tij.
Për rastin në fjalë ende nuk është hapur asnjë hetim dhe nuk ka të dyshuar.
Ndërkohë, deputetët me furgon shkuan për të kryer mbikëqyrje të punës së ASK-së, por morën të dhëna të kufizuara sepse Prokuroria po zhvillonte një procedurë paraprake hetimore.
E përderisa Prokuroria po heton për ta shpërndarë mjegullën politike rreth asaj nëse dhe kush ka ndjekur dhe përgjuar në mënyrë të paligjshme, BIRN zbulon se për këtë rast në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare nuk janë ngritur procedura disiplinore kundër punonjësve për veprime të paligjshme sepse ka skaduar afati ligjor.
Megjithatë, të vetmit që mund të bëjnë kontrolle shtesë të paparalajmëruara në ASK, Gjykatësi suprem, i cili është përgjegjës për masat e ndjekjes dhe Prokurori Publik Shtetëror, nuk kanë bërë një gjë të këtillë.

Ka skaduar afati për masa disiplinore në ASK
Nëse kontrolli i brendshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare ka dijeni për veprime të paligjshme, ajo mund të ngrejë procedura disiplinore kundër punonjësve.
Siç parasheh Ligji për ASK-në procedurat disiplinore mund të ngihen pavarësisht nga procedura penale të cilën e zhvillon Prokuroria.
Përgjegjësi disiplinore mund të kërkohet për arsye të ndryshme: nga veprimi në kundërshtim me rregullat dhe rregulloret e Agjencisë, deri te abuzimet ose tejkalimi i autoritetit.
Ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, në një intervistë për 360 Gradë, mohoi se kishte pasur ndjekje të paligjshme dhe se është e mundur që individë të caktuar të ishin përfshirë në lëndë nëse ata ishin takuar me objektiva që ishin nën vëzhgim.
Megjithatë, procedura të tilla disiplinore për ndjekje të paligjshme nuk janë ngritur.
Nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare në përgjigjen e dërguar për BIRN, i cituan dispozitat ligjore.
Nga atje pretendojnë se nuk mund të fillonin procedura disiplinore sepse kishte skaduar afati ligjor prej një viti nga dita e kryerjes së shkeljes, ndërsa në rastin konkret “bëhet fjalë për kontroll të punës së Agjencisë për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024”.
Siç njoftuan nga Prokuroria, ata pranuan njoftime, e jo denoncime.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm, sepse njoftimi, ndryshe nga denoncimi, nuk implikon domosdoshmërisht hapjen e një hetimi, por është një sinjal fillestar për verifikim.

Nuk ka kontroll shtesë gjyqësor dhe prokurorial
Edhe pse njoftimet për ndjekje të paligjshme erdhën nga kryeministri i vendit, kjo nuk mjaftoi as për Gjykatësin suprem, i cili mbikëqyr masat për mbledhjen sekrete të të dhënave dhe informacionit për çka urdhër jep gjykata, e as për prokurorin shtetëror që të kryejë një kontroll të jashtëzakonshëm, pra shtesë.
Neni 55 i Ligjit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare parasheh se këto kontrolle mund të kryhen sipas nevojës dhe pa paralajmërim.
BIRN iu drejtua Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë Publike për të parë nëse kishin kryer kontrolle të tilla të ligjshmërisë në dy vitet e fundit. Sipas përgjigjeve kontrolle të tilla nuk janë bërë.
Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski, u emërua në këtë pozicion në tetor të vitit të kaluar, që do të thotë se ai ka qenë në krye të institucionit për gati një vit.
BIRN nuk mori përgjigje konkrete. Ajo që u dërgua ishin shpjegime identike.
Ligjshmëria e kërkesave për masa monitorohet individualisht përmes secilës kërkesë, në momentin kur dorëzohet kërkesa.
“Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut e kontrollon ligjshmërinë për çdo kërkesë konkrete për lëshimin e një urdhri për përgjimin e komunikimeve.”
Nga Gjykata Supreme thonë se ASK nëpërmjet prokurorit shtetëror dorëzon raporte çdo tre muaj, në bazë të të cilave “vlerësohet dhe përcaktohet ligjshmëria e zbatimit të masës”.
Sipas Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë kontrolli i veçantë kryhet “nëse përcaktohet se ka nevojë për një gjë të tillë”.

Nëntë muaj heshtje për “Xhoker” dhe “Cilindër”
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar nga foltorja në Kuvend Mickoski tha se ai dhe familja e tij ishin ndjekur nga dy agjentë, të cilët në shërbimet e inteligjencës ishin regjistruar me emrat e koduar “Xhoker” dhe “Cilindër”.
“Diku kah gjysma e dytë e vitit (viti 2020), në tremujorin e katërt, i njëjti burim ‘Cilindër’ thotë se jam parë me dy persona të gjinisë femërore në Vodno, duke ecur dhe, imagjinoni, ato më kanë prezantuar informacione që ishin në interesin tim politik”, tha ai atëkohë nga foltorja në Kuvend.
Prokurori shtetëror ka kryer një inspektim në Agjencinë Operacionale-Teknike ku ndodhen sistemet e ndjekjes së komunikimit. Është hartuar një raport, por nuk ka gjetur parregullsi.
- LEXO: Mickoski: Shumë shpejt do të shihni se si është përgjuar vitet e fundit, do të tmerroheni
- LEXO: Kuvendi i RMV-së informoi se deputetët ishin për mbikëqyrje në ASK, por nuk kishin mundësi të inspektonin dokumentet
Edhe para zgjedhjeve lokale në vitin 2021 Mickoski tha se burimi me emrin e koduar “Xhoker” ka informuar se kishte pasur takime me një “shoqëri patriotike” në manastirin “Sh. Jovan Bigorski” për të prishur sigurinë e vendit.
Menjëherë pas këtyre deklaratave prokurori shtetëror, Ljupço Kocevski, hapi lëndë pas një zëri të arritur për hetimin e këtyre rasteve. Institucioni përgjegjës për këtë është Agjencia e Inteligjencës.
Nga atje nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN lidhur me atë nëse kishin ngritur procedura disiplinore kundër punonjësve që kishin vepruar në mënyrë të paligjshme.
Nga Prokuroria thonë se ka lëshuar urdhra që institucionet të sigurojnë prova dhe për të vendosur nëse do të hapin hetim.
Megjithatë, nëntë muaj më pas, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, e cila po e udhëheq rastin ende po mbledh prova dhe ende nuk ka asnjë urdhër për të hapjen e hetimeve.
Në brifingun e javës së kaluar BIRN e pyeti Mickoskin nëse deri më sot ishte thirrur në bisedë si person i dëmtuar pas akuzave për ndjekje të paligjshme.
Ai u përgjigj shkurt: “Jo. Nuk pres që kjo Prokurori të më thërrasë.”