Kuvendi i RMV-së informoi se deputetët ishin për mbikëqyrje në ASK, por nuk kishin mundësi të inspektonin dokumentet

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë së Inteligjencës (AI) dje bënë një vizitë mbikëqyrëse në ASK, por, siç njofton Parlamenti, ata nuk patën mundësi të inspektojnë dokumentacionin. ASK iu referua hetimit të prokurorisë për rastin, transmeton Portalb.mk.

Deputetët, shton Parlamenti, u takuan me Drejtorin e Agjencisë, Bojan Hristovski, i cili i informoi ata për parregullsitë dhe mangësitë, përkatësisht sjelljen joprofesionale dhe të paligjshme në Agjenci, në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, ai i informoi anëtarët e Komisionit se janë dorëzuar njoftime në Prokurorinë Publike kompetente, e cila po merret me rastin konkret.

“Përveç kësaj, u diskutua nevoja për veprim institucional dhe zgjidhje të rasteve që lidhen me njoftimet e paraqitura në Prokurorinë Publike kompetente në përputhje me rregulloret ligjore dhe procedurat e përcaktuara, nga njëra anë, dhe rëndësia dhe nevoja për ushtrimin e mbikëqyrjes substanciale mbi veprimtarinë e Agjencisë nga Komisioni Parlamentar, nga ana tjetër. Në takim, anëtarët e Komisionit u informuan edhe për tema të tjera që lidhen me veprimtarinë e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe aktivitetet që po ndërmerren për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të eliminuar mangësitë në veprimtari”, informoi Parlamenti.

Deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, dje, para se të vizitonte ASK-në, shprehu pritjen e saj që Agjencia e Sigurisë Kombëtare do të jetë e hapur ndaj kërkesës për deklasifikimin e materialeve në lidhje me akuzat për përgjime, ndërsa kolegu i saj nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, Ljupço Prenxhov, deklaroi se ajo që është e rëndësishme është të shihet se çfarë po ndodhte në ASK dhe kush ishte shënjestra e mbikëqyrjes gjatë periudhës kur partia në të cilën ajo është anëtare ishte në opozitë.

Pretendimet për keqpërdorim vijnë nga kryeministri aktual, Hristijan Mickoski, i cili dyshon se është përgjuar në periudhën kur ishte lider i opozitës, së bashku me disa biznesmen dhe gazetarë. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.

Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor  me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.