Të huajt në Shqipëri kanë blerë 253 milionë euro prona në gjysmën e parë të vitit

Shtetasit e huaj blenë 253 milionë euro prona në Shqipëri në gjysmën e parë të këtij viti duke shënuar një rekord të ri historik. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë, raporton Euronews.

253 milionë euro janë paguar nga shtetas të huaj për të blerë prona në vendin tonë, vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Asnjëherë më parë nuk janë shpenzuar kaq shumë para, që apartmentet tokat apo njësitë e bizneseve të blihen nga shtetas që nuk kanë pasaportë shqiptare.

 Nëse e krahasojmë me gjysmën e parë të vitit 2024, blerjet janë rritur rreth 38%, ose 80 mln euro më shumë të paguara.

Këto statistika tregojnë se pasuritë e paluajtshme janë shndërruar në një nga zërat kryesore të fluksit të investimeve që vijnë nga jashtë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë të këtij viti investimet e huaja në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 149 milionë eurove, më e larta e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Të dhënat tregojnë se nëse investimet në blerjen e pasurive të paluajtshme do të ruajnë ritmin e pjesës së parë të vitit, deri në dhjetor, Shqipëria mund të kapë shifrën e gjysmë miliardë euro investime në sektor.