Të rinjtë e shoqatës HERA shënuan Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

Me rastin e 15 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, të rinjtë e HERA-s rikujtuan se demokracia nuk është vetëm ditë zgjedhjesh apo një institucion dhe se ajo ka kuptim kur të rinjtë flasin lirshëm, marrin pjesë në vendimet që i prekin dhe kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshime, transmeton Portalb.mk.

Në videon e publikuar nga të rinjtë e HERA-s, ata flasin për atë se çfarë do të thotë demokracia sot dhe se si mënyra moderne e informimit dhe komunikimit ndikon në qëndrimet, marrëdhëniet dhe pjesëmarrjen tonë në shoqëri.

“Një pjesë gjithnjë e më e madhe e jetës publike zhvillohet në hapësirën digjitale, ku algoritmet ndikojnë në atë që shohim, lexojmë, me kë komunikojmë dhe kujt i besojmë. Në vend që të na lidhin, ato mund të na mbyllin në botë paralele dhe t’i thellojnë ndarjet. Sot demokracia është e rrezikuar nga e ashtuquajtura algoritmokraci. Në algoritmokraci, pushteti nuk u përket më njerëzve, por hapësira rregullohet nga algoritmet”, thotë Viktor Buçkovski nga HERA të rinjtë.

Sipas Ema Micievskës, demokracia kërkon takim, dialog, ide të ndryshme dhe mundësi që njerëzit së bashku të marrin vendime. E kjo fillon nga pjesëmarrja e përditshme e të rinjve.

“Sot demokracia do të thotë të mund të bësh një kritikë, një lavdërim ose thjesht të thuash diçka dhe kjo të dëgjohet, të kuptohet dhe të ndërmerren veprime”, thotë Micievska.

Të rinjtë porosisin se pjesëmarrja e të rinjve nuk duhet të jetë formalitet dhe se ata duhet të përfshihen që në fillim në hartimin e ligjeve, politikave dhe buxheteve që përcaktojnë jetën e tyre.

“Ne kërkojmë nga institucionet më shumë hapësirë për pjesëmarrje thelbësore të të rinjve, arsim që zhvillon mendimin kritik dhe aftësitë mediatike dhe digjitale, rezistencë ndaj dezinformatave dhe kushte që të rinjtë të jetojnë me dinjitet dhe ta shohin të ardhmen e tyre këtu. Detyra e gjeneratës sonë është të krijojë mundësi për t’u takuar dhe hapësirë në të cilën së bashku do të mund të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, të bashkuar, e jo si në algoritme, secili në anën e vet, të përçarë”, thotë Viktor.