Raportet kontroverse për ujin në Gostivar nën hetim nga Prokuroria, drejtori i QSHP Tetovë nuk beson se është bërë ndonjë lëshim
Prokuroria po heton raportet kontradiktore të lëshuara nga Qendra për Shëndet Publik (QSHP) Tetovë, njësia rajonale në Gostivar, të datës 29 qershor dhe 13 korrik, sipas të cilave uji në Gostivar ishte i sigurt për konsum, edhe pse Prokuroria kishte konstatuar se që nga 25 qershori ishin vendosur pompa në dhomën e tejmbushjes në fshatin Vërtok dhe ujërat e zeza kishin përfunduar në shtëpitë e banorëve të Gostivarit.
Drejtori i Qendrës, Shaqir Zulbeari, tha për Sloboden Peçat se nuk mund të japë informacione pasi hetimi është ende në zhvillim, por nuk beson se institucioni ka bërë ndonjë gabim, pasi, sipas tij, të gjitha procedurat janë kryer në mënyrë institucionale, profesionale dhe janë të dokumentuara.
“Për rezultatet nuk guxojmë të japim informacione, sepse hetimi është në vazhdim. Nuk na lejohet të flasim më për këtë. Gjithçka që na ka kërkuar Prokuroria Publike ua kemi dorëzuar, të gjitha rezultatet”, tha Zulbeari.
I pyetur se si është e mundur që në periudhën kur kishte shumë persona të sëmurë të publikoheshin raporte që tregonin se uji ishte i sigurt për konsum, ai u përgjigj:
“Prandaj po ju them se ekziston data kur është shtypur raporti dhe kur është marrë mostra. Për të gjitha informacionet, mjeku që e ka përgatitur raportin do të japë sqarime para Prokurorisë Publike. Ne jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me Prokurorinë dhe nuk mund të flas tani për atë që ka ndodhur, sepse nuk na lejohet”, shpjegoi Zulbeari.
Ai shtoi se QSHP ka kontratë me ndërmarrjen publike komunale “Ujësjellësi” të Gostivarit dhe se të gjitha mostrat që u janë kërkuar janë analizuar.
“Kemi kontratë me ‘Ujësjellësin’ dhe të gjitha mostrat që janë kërkuar nga ana e tyre i kemi realizuar. Ata janë institucioni përgjegjës për të kërkuar kontrollin e cilësisë së ujit. Analizat për të cilat jemi të akredituar i kemi kryer ne, ndërsa të tjerat kryhen nga institucione të tjera”, tha ai.
I pyetur nëse mendon se Qendra mban ndonjë përgjegjësi, Zulbeari tha se kushdo që ka bërë ndonjë gabim do të përgjigjet, duke shtuar se në raport ka edhe çështje të tjera për të cilat nuk mund të flasë, ndërsa paralajmëroi konferencë për media pas përfundimit të hetimit.
“Unë nuk besoj se këtu është bërë ndonjë gabim. Qendra jonë i ka zbatuar të gjitha procedurat në mënyrë institucionale dhe profesionale dhe gjithçka është e dokumentuar. Nëse dikush ka bërë ndonjë gabim, do të mbajë përgjegjësi. Ka edhe gjëra të tjera për të cilat nuk mund të flas, por në fund do të dalim në konferencë për media”, tha ai.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i pyetur se si raportet kishin treguar se uji ishte i sigurt, tha se gjithçka varet nga koha dhe vendi ku janë marrë mostrat.
“Pres që të gjitha mostrat e marra gjatë këtij viti të dorëzohen në Ministrinë e Shëndetësisë. Është dërguar kërkesë zyrtare në QSHP që të na i dërgojë të gjitha mostrat së bashku me lokacionet ku janë marrë. Pasi të verifikohen të gjitha informacionet, do të mund të komentoj. Gjithçka varet nga koha dhe vendi ku është marrë mostra”, tha Klekovski.
Ai theksoi se përgjegjësia për cilësinë e ujit bie mbi ndërmarrjet publike komunale.
“Ndërmarrja publike komunale, si ofruese e shërbimit, sipas ligjit është e detyruar të kontrollojë cilësinë e ujit. Pyetja është nëse ajo e ka kryer këtë detyrim. Mund të them se QSHP Tetovë, njësia rajonale Gostivar, ka fituar procedurën për kryerjen e kontrolleve, por ajo përfshin një numër të kufizuar mostrash gjatë vitit. Brenda këtij numri, Qendra i ka marrë mostrat. Tani po analizojmë rezultatet dhe vendet ku janë marrë mostrat, sepse kjo do të jetë e rëndësishme për planifikimin e hapave të ardhshëm. Në thelb planifikojmë të bëjmë një analizë të situatës aktuale, pasi zgjidhjet ndryshojnë nga një qytet në tjetrin. Për shembull, ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi’ i Shkupit ka laboratorin e vet dhe mendoj se kryen kontrollet më të rregullta të ujit. Do të bëjmë inspektime aty ku është e nevojshme, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera jashtë sektorit të shëndetësisë, për të përcaktuar përgjegjësitë”, tha Klekovski.
Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, numri i kontrolleve në spital dhe në Shtëpinë e Shëndetit është dukshëm më i ulët krahasuar me ditët e mëparshme. Autoritetet vlerësojnë se kjo tregon një stabilizim gradual të situatës.
Ministri pret që ekipet e Ujësjellësit të Shkupit, në bashkëpunim me Ujësjellësin e Gostivarit, së shpejti të prezantojnë planin për mënyrën se si do të veprohet në të ardhmen për pastrimin e ujit në Gostivar.
Prokuroria njoftoi se do të hetojë mënyrën se si janë kryer analizat e ujit në Gostivar, por nuk ka paragjykuar nëse janë dorëzuar raporte të pasakta apo të rreme për cilësinë e ujit, pasi ende duhet të zhvillohen një sërë veprimesh hetimore.
Nëse nga dokumentacioni dhe ekspertizat rezulton përgjegjësi e mundshme edhe për persona ose institucione të tjera, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj tyre.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur në konferencën për media të djeshme se kishte marrë raportet e hartuara nga Qendra për Shëndet Publik në Gostivar më 29 qershor dhe 13 korrik, të cilat tregonin se uji për pije ishte i sigurt. Ndërkohë, vala e pacientëve me probleme gastrointestinale kishte filluar pikërisht më 13 korrik.
Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.
- LEXO: Situata me gastroenteritin në Gostivar ka filluar të stabilizohet, numri i kontrolleve është ulur për 41%
- LEXO: Gjykata shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre udhëheqësit e Komunalecit për ndotjen e ujit në Gostivar
- LEXO: Mbetet në fuqi ndalimi i përdorimit të ujit në Gostivar, institucionet kërkuan përgjegjësi ndërsa hetimet vazhdojnë