Ramiz Merko nuk ka realizuar asnjë nga premtimet elektorale në fshatin Belicë të Strugës

Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit, rregullimi i kanalit dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve të fshatit ishin tre premtime të cilat kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko i bëri para votuesve të fshatit Belicë gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Megjithatë kanë kaluar thuajse dy vite nga marrja e mandatit, dhe duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam, Portalb.mk konkludon se këto premtime nuk janë realizuar, shkruan portalb.mk.

Programi zgjedhor “Agjenda e Blertë” 2021-2025 i mundësoi edhe një mandatat në krye të Komunës së Strugës kandidatit të BDI-së Ramiz Merko, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Në këtë program, kategoria e investimeve të parapara nëpër fshatra (faqe 62), janë paraqitur edhe 3 premtime për fshatin Belicë e Poshtme: ndërtimi i ujësjellësit, rregullimi i kanalit dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve. Për premtimet e dhëna elektoratit nuk i jepet asnjë informacion më shumë si për shembull: buxheti i paraparë për projektin përkatës, mënyra e financimit, fazat e punimeve, etj.

Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025
Belicë – Premtime parazgjedhore /Screenshot nga Agjenda e Blertë 2021-2025

Portalb.mk inspektoi situatën në terren për të parë nga afër zhvillimin e premtimeve në fjalë. Nga ajo që pamë në terren dhe biseda me banorë lokal mundet të konstatohet se në këtë fshat pas zgjedhjeve lokale nuk është bërë asnjë hap konkret në realizimin e ndonjërit nga premtimet në fjalë. Banorët shprehen të revoltuar që gjatë verës kanë probleme me furnizimin e ujit për pije dhe u shprehen të shqetësuar me gjendjen aktuale të kanalit në fshat, i cili është i mbushur me mbeturina dhe shpesh gjatë reshjeve të shiut shkaktohen probleme. Shqetësim aktual për banorët e këtij fshati është edhe mos-mirëmbajtja e rrugëve, ku si pasojë e rritjes së madhe të barishteve anash rrugësh është zvogëluar dukshmëria gjë që përbën problem për funksionimin e komunikacionit.  Në fotografitë më poshtë mundet ta shikoni gjendjen e kanalit dhe rrugëve në fshatin Belicë e Poshtme.

Nga partia më e madhe opozitare në Komunën e Strugës, Aleanca për Shqiptarët, thonë se i ndjekin me vëmendje interesat dhe nevojat e qytetarëve. Nga ASH-Strugë shprehen pesimistë në realizimin e suksesshëm të ndonjë premtimi nga programi zgjedhor “Agjenda e Blertë”.

“Për Belicën e Poshtme nga 3 projekte të premtuara, tek “Agjenda e Blertë” me mbi 100 projekte të përmendura për Komunën e Strugës, në teren nuk ndodhë asgjë edhe pse në Belicë të Poshtme ka nevojë për më shumë angazhime dhe punë. Zgjerimi i rrugëve të fshatit në Belicë të Poshtme është e nevojshme të realizohet sepse nga ato rrugë që kalojnë nëpër Belicë të Poshtme bëhet edhe ndërlidhja me vendbanime të tjera, si: Veleshtë, Vranishtë, Oktisë, Zagracan. Ne si ASH – Dega në Strugë, ndjekim zhvillimet në teren, por shqetësuese mbetet fakti i jo transparencës së harxhimit të pareve nga Buxheti Komunës, siç e kemi përmendur edhe më herët ku parat paguhen kurse në teren nuk ka asnjë vepër”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i Degës së ASH – së – Strugë.

Nga ASh-Strugë konfirmojnë pretendimet e banoreve se nuk ka asnjë lëvizje as në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimit të rrugëve.

“Për ndërtimin e rrjetit të Ujësjellësit në fshat nuk ka asnjë shenjë pune në teren, as projekt, as matje gjeodezike, as tender të punohet apo të shpallet, sikurse edhe për Rregullimin e Kanalit që kalon nëpër fshat e grumbullon ujërat nga reshjet atmosferike nga vjeshta deri në pranverë. Për fat të keq në mandatin e katërt të Merkos, ose pas 20 viteve administrim të Komunës, në shekullin e XXI ose në vitin 2023, ne akoma merremi me rrugë, drita, ujësjellës, kanalizime jo vetëm në Belicën e Poshtme por në të gjithë vendbanimet e Strugës, dhe pastaj habitemi pse ikin të rinjtë”, shtoi Lulzim Nasufi, Kryetar i Degës së ASH – së – Strugë.

Redaksia jonë kërkoi informacion dhe nga Komuna e Strugës. Kërkesa për informacion jonë u konfirmua nga zyra e PR të këtij institucioni mëngjitë nga sektori përkatës nuk morën asnjë përgjigje.

Portalb.mk, duke u bazuar në situatën në terren dhe dëshmitë e banorëve lokal konkludon se në fshatin Belicë e Poshtme deri më sot nuk është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit, nuk është ndërtuar kanali i fshatit e as nuk janë ndërtuar e zgjeruar rrugët e fshatit. Të gjitha këto ishin premtime elektorale në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” 2021-2025 nga kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

BURIMI: