“Ditët e Letërsisë Suedeze dhe Botërore” shënuan jubileun me gjashtë vepra të përkthyera në shqip

Manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze” u mbajt sot në Komunën e Çairit, këtë vit ai u zgjerua nën emërimin “Ditët e Letërsisë Suedeze dhe Botërore”. Në kuadër të manifestimit, Shtëpia Botuese “Shkupi” promovoi gjashtë vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, nga Suedia, Bullgaria, Turqia, Kuvajti dhe Kolumbia, shkruan Portalb.mk.

Në këtë edicion morën pjesë autoret dhe artistet suedeze Grazyna Canevall dhe Ingela Karlsson, të cilat prezantuan veprën “Kantarei”. Ato interpretuan vargje nga krijimtaria e tyre, si dhe fragmente nga poema “Bagëti e bujqësi” e Naim Frashërit. Për librin foli shkrimtari Rizah Sheqiri, ndërsa pesë veprat e tjera për fëmijë i prezantoi shkrimtarja Mejreme Kajolli Tusha.

Ndër veprat e promovuara ishte “Vëllai dhe unë”, i autores turke Bushra Çakmak. Libri sjell një rrëfim për marrëdhënien mes motrës dhe vëllait, nga hapat dhe fjalët e para deri te lojërat dhe aventurat e imagjinuara. Përmes kësaj historie përcillen mesazhe për kujdesin ndaj njëri-tjetrit, bashkëpunimin dhe dashurinë familjare.

Autorja turke Xhansu Erkan, në librin “Dita kur u zhdukën kafshët”, trajton ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme. Personazhet e një qyteti janë aq të përqendruara te telefonat, sa fillimisht nuk e vërejnë mungesën e kafshëve. Përmes humorit dhe fantazisë, libri i fton lexuesit të reflektojnë për kohën që kalojnë para ekraneve dhe për vëmendjen që i kushtojnë botës përreth.

Foto nga manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze dhe Botërore. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)
Foto nga manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze dhe Botërore. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)

Ndërkaq, “Pa kapelë”, i autores kuvajtiane Lateefah Boti, rrëfen historinë e një vajze që jeton në një qytet ku të gjithë mbajnë kapela. Kureshtja e shtyn të shohë përtej kapelës së saj dhe të zbulojë një botë plot ngjyra, tinguj e bukuri. Vepra përcjell mesazhe për guximin, mendimin e lirë dhe kapërcimin e paragjykimeve.

Me librin “Miushat shkojnë në operë”, autorja bullgare Marija Doneva i afron lexuesit e vegjël me muzikën klasike. Përmes vargjeve me rimë dhe përgatitjeve argëtuese të miushëve për të ndjekur një shfaqje, fëmijët njihen me operën, emocionet që ajo ngjall dhe sjelljen në sallën e teatrit.

Foto nga manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze dhe Botërore. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)
Foto nga manifestimi qendror i edicionit të dhjetë jubilar të “Ditëve të Letërsisë Suedeze dhe Botërore. Foto: Portalb.mk (Faton Curri)

Pjesë e promovimit ishte edhe libri “Fluturimi i balenave gungaçe”, i autores kolumbiane Juliana Munoz Toro, me ilustrime nga Dipacho. Vepra ndjek udhëtimin e balenave nga ujërat e ftohta të Antarktidës drejt ujërave të ngrohta të Paqësorit. Përmes ilustrimeve, hartave dhe shpjegimeve të thjeshta, fëmijët mësojnë si jetojnë, ushqehen dhe shtegtojnë këto gjallesa, duke u njohur edhe me rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.

Sipas organizatorëve, zgjerimi i manifestimit përtej letërsisë suedeze synon t’u sjellë lexuesve shqiptarë më shumë autorë dhe vepra nga letërsia bashkëkohore botërore. Synimi është që këta libra të bëhen pjesë e bibliotekave, shkollave dhe jetës kulturore, duke nxitur interesimin për leximin që në moshë të hershme.