Qytetarët e Maqedonisë së Veriut në “mëshirën” e tregtarëve për rritjen çmimeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nga 1 marsi ka shfuqizuar vendimin për atë që njihej si “çmim i garantuar”. Kjo masë ishte vendosur me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore, raporton REL. Vendimi u mor ende pa u miratuar një projektligj për mbrojtje nga ekonomia jokorrekte, që është në procedurë parlamentare, e me të cilin Qeveria synon të zëvendësojë masat e deritashme të saj.

Por, kjo i ka lënë tregtarët me duar të lira që të vendosin vetë për rritjen ose jo të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, sikur në periudhën e para shtatorit të vitit 2023 kur si pasojë e mungesës së masave ligjore, çmimet shënuan rritje të mëdha.

“Nga sot tregtarët do të rrisin çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo gjithsesi se do të rëndojë edhe më shumë gjendjen tonë. Ne, edhe ashtu ishim keq, por tani do të bëhet edhe më e vështirë”, thotë Mile Stojçev, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Përfundimisht do të ketë rritje të çmimeve. Do të kthehemi në periudhën e para disa muajve kur çdo ditë përballeshim me rritje çmimesh dhe thellim të varfërisë”, thotë Almir Muftiq, pensionist.

Me masat e deritashme të Qeverisë ishin ngrirë çmimet e rreth 50 produkteve bazë të ushqimit.

Inspektorati i tregut paralajmëron masa të rrepta nëse tregtarët abuzojnë me çmimet.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe ai që zbaton praktika të pandershme tregtare dhe shkel ligjet, do të sanksionohet rëndë, përfshirë edhe mbylljen e bizneseve për një periudhë të caktuar”, thotë Goran Trajkovski, drejtor i Inspektoratit të tregut.

Ai u bëri thirrje, si shitësve me pakicë, ashtu edhe shitësve me shumicë, që të jenë të përgjegjshëm dhe t’i përshtatin çmimet në përputhje me standardet e qytetarëve.

Nga Qeveria presin që tregtarët të mos e keqpërdorin heqjen e masave, por të veprojnë në bazë të ekonomisë së tregut deri në miratimin e zgjidhjeve të reja ligjore.

Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyçi, thotë se çdo sjellje joetike e çdo tregtari do të dënohet.

“Mendoj se do të ishte e pranueshme të kishte një rritje prej 5 deri 10 për qind, por mos të ndodhë sikur në rastin e makaronave që kishim rritje prej 75 për qind, apo rritje të ngjashme të produkteve tjera. Dihen rrjedhat e ekonomisë, kështu që dihet se çfarë është e pranueshme e çfarë jo”, thekson Bytyçi.

Ndryshe, prej sot nuk do të vlejnë më çmimet e garantuara të produkteve në markete. Rendin në konkurrencën e pandershme, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se do ta vendos me miratimin e Ligjit për Praktika Tregtare Jokorrekte, i cili sipas tij do të sjellë deri në zvogëlimin e çmimeve të produkteve ushqimore.