RMV, nga nesër nuk do të vlejë më masa për çmime të garantuara në markete

Nga nesër nuk do të vlejnë më çmimet e garantuara të produkteve në markete. Rendin në konkurrencën e pandershme, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se do ta vendos me miratimin e Ligjit për Praktika Tregtare Jokorrekte, i cili sipas tij do të sjellë deri në zvogëlimin çmimeve të produkteve ushqimore, njofton Portalb.mk.

Pritja e Bekteshit me këtë zgjidhje ligjore, është që të miratohet në Kuvend sa më shpejtë që është e mundur.

“Zgjidhja ligjore me të cilën vendoset rend në konkurrencën e pandershme në tregti dhe vendosen praktika korrekte mes tregtarëve dhe furnizuesve në zinxhirin me prodhime bujqësore dhe ushqimore pritet që këtë javë të hyjë në lexim të dytë në komisionet kuvendore. Me ligjin pritet presim që të ulen çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore”, deklaroi Bekteshi.

Ligji për ndalim të praktikave të pandershme tregtare në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, Bekteshi thotë se që në dhjetor të vitit 2023, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë është miratuar nga Qeveria dhe është dorëzuar në Kuvend.

Në pajtueshmëri me vendimin qeveritar, i cili fillimisht ishte në fuqi deri në nëntor të vitit 2023 dhe më pas disa herë u vazhdua, nga shtatori me çmime të ulëta janë shitur produktet ushqimore të 24 kategorive. Mes tjerash, qytetarët me çmime më të lira kanë blerë, bukë, qumësht, jogurt, gjizë, mish të  bluar, mish pule, pasta, fruta, perime. Me këtë vendim u përfshinë edhe pijet joalkoolike dhe birra.

Në të njëjtën kohë, u vendos që çmimet në tregtinë me pakicë, të cilat janë ulur për shkak të skadimit të afatit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, të mos konsiderohen si shitje promocionale (promocion).