Qeveria me zgjidhje për problemin në Çashkë: Mësimi për të gjithë nxënësit të vazhdojë aty, ndërsa deri në fund të vitit do të ketë shkollë të re

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar që ka vendosur që mësimi në shkollën “Todor Janev” në Çashkë të realizohet në objektin ekzistues deri në fund të vitit shkollor, ndërsa deri në fund të vitit kalendarik të ndërtohet një shkollë e re, transmeton Portalb.mk.

“Mësimi për të gjithë nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillohet përkohësisht në objektin ekzistues, gjegjësisht deri në fund të vitit shkollor dhe sipas programeve të përshtatura për të përvetësuar materialin që është lëshuar për shkak të mos mbajtjes së orëve në  periudhën e kaluar”, njoftoi Qeveria.

Ata njoftuan që ky vendim është marrë me pjesëmarrjen e deputetëve të të gjitha partive politike dhe grupeve të tjera të interesit.

“Zgjidhja  e këtij problem të madh, që në formë të marrëveshjes është nënshkruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, kryetari i Komunës së Çashkës dhe drejtorit të shkollës, parashikon rikthimin e kompetencave të kryetarit të komunës në menaxhimin e shkollës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe ndërtimin e objektit të ri shkollor, si zgjidhje e përhershme e sfidës që vuri në pikëpyetje arsimimin e nxënësve të kësaj komune në gjuhën amtare”, njoftoi Qeveria.

Qeveria premtoi që shkolla e re duhet të ndërtohet deri ne fund të vitit aktual kalendarik.

Ndryshe, ministri për arsim dhe shkencë, Jeton Shaqiri, kishte dorëzuar një shkresë ku thuhet se janë plotësuar kushtet për themelimin e paraleles në gjuhën shqipe dhe kërkon ndryshimin e statutit të shkollës. Ministri kishte alarmuar që në dy shkolla pengohet zhvillimi i procesit edukativ e arsimor në gjuhën amtare, ajo në komunën e Gazi Babës dhe Çashkës.

Nxënësit e shkollës “Njegosh” në Idrizovë të Gazi Babës, në fund të muajit nëntor kanë filluar me mësim në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair. Ndërkohë ishte riaktualizuar çështja e protestave në Çashkë për pengimin e hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Todor Janev”, ashtu që prej 24 nëntorit kishte protesta të herëpashershme.