RMV, MPB me njoftim të rëndësishëm për targat!

Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut se në përputhje me Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për formën dhe përmbajtjen e formularit të kërkesës për lëshimin e targave, të publikuara në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” më 12.02.2024, afati i fundit për ndërrimin e targave që përmbajnë shenjën “MK “dhe targave të regjistrimit që nuk kanë asnjë shënim apo vendosje ngjitëse mbi to emërtimi “NMK” zgjatet më së voni deri më 31 dhjetor 2024, transmeton Portalb.mk.

“Njoftojmë edhe ata qytetarë të cilët do të pengohen nga punonjësit e policisë kufitare që të largohen nga vendi për shkak se kanë dokument udhëtimi me emrin “Republika e Maqedonisë”, se mund të kërkojnë njoftim me shkrim për arsyet e pamundësisë për dalje”, thonë nga MPB.

Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme fillimisht njoftoi se afishet do të kushtojnë 50 denarë, por më pas u vendos që ato të jenë falas.

Ngjitëset me shenjën NMK kanë mbërritur në stacionet e kontrollit teknik vetëm 12 orë para hyrjes në fuqi të obligimeve të Marrëveshjes së Prespës, që ishte mesnata e mbrëmshme.

Ndryshe, neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Për më tepër, zyrtarë të qeverisë në vitin 2018 deklaronin se qytetarët nuk do të kenë asnjë shpenzim shtesë dhe se dokumentet e udhëtimit do të ndryshohen pas skadimit të afatit të tyre.