Qeveria e RMV-së e vazhdoi gjendjen e krizës për naftën

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme, solli vendimim me të cilin gjendja e krizës për naftën u zgjat deri më 20 tetor 2026, transmeton Portalb.mk.

Me vendimin e miratuar, afati i vlefshmërisë së gjendjes së krizës zgjatet nga 21 korriku deri më 20 tetor, me çka mundësohet vazhdimësia e veprimit institucional dhe ndërmarrjen në kohë të masave në rast se paraqiten çrregullime në furnizim ose goditje të konsiderueshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe derivateve të saj.

“Qëllimi i këtij vendimi është që Qeveria të ketë në dispozicion një mekanizëm të përshtatshëm ligjor për reagim të shpejtë dhe efikas, me synim ruajtjen e stabilitetit në furnizim, zbutjen e pasojave nga çrregullimet e mundshme të tregut dhe mbrojtjen e interesave dhe standardit jetësor të qytetarëve dhe ekonomisë”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Nga aty shtojnë se pas harmonizimit të vendimit në kuadër të procedurave qeveritare, ai do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, në përputhje me kompetencat ligjore.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen për shkak të situatës së paqëndrueshme ndërkombëtare të sigurisë dhe energjisë pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjeve serioze në transportin e naftës bruto, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila është një nga korridoret kryesore të energjisë në botë.

Pas sulmeve në shkurt dhe bllokadave të rrugëve detare, ekziston rreziku i mungesave globale dhe rritjes së çmimeve, me pasoja të drejtpërdrejta për tregun vendas.

Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme i lejon Qeverisë të vazhdojë me menaxhimin e koordinuar të situatës dhe zbatimin e masave për të siguruar një furnizim të sigurt me energji.

Kujtojmë se më 13 korrik në Maqedoninë e Veriut u rritën çmimet e derivateve.