Qeveria e RMV-së e miratoi Projektligjin për mbrojtjen nga duhani, parashikohen gjoba dhe kontrolle të rrepta
Qeveria e miratoi Projektligjin për Mbrojtjen nga përdorimi i produkteve të duhanit ose produkteve të ngjashme, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetin publik dhe për krijimin e një hapësire publike më të shëndetshme, më të sigurt dhe më të përgjegjshme, transmeton Portalb.mk.
“Ligji është rezultat i një procesi të gjerë institucional, diskutimeve me palët e interesuara, konsultimeve me industrinë e duhanit, sektorin e hotelerisë, institucionet kompetente, organet inspektuese, publikun ekspert dhe mbështetjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaroi Ministria e Shëndetësisë në një postim në Facebook.
Disa ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski, në takimin përfundimtar me përfaqësuesit e industrisë së duhanit dhe sektorit të hotelerisë, deklaroi se pret që Projektligji të kalojë në Kuvend sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të tij nga Qeveria.
Siç njoftoi ai, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë, përveç dispozitës sipas së cilës lokalet e hotelerisë duhet të ripërshtaten dhe të ripërdorin ambientet e tyre. Për këtë dispozitë është parashikuar një periudhë mospagimi prej 12 muajsh.
Ligji, siç u theksua në takim, mbyll zonën gri për tarracat – prezanton kritere të sakta dhe të zbatueshme se si duhet të përshtaten ato kur bëhet fjalë për pirjen e duhanit. Ai gjithashtu parashikon kontrolle të rrepta dhe rigoroze për mosrespektimin e mundshëm të zbatimit të tij.
Kryeministri Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu thanë se presin zbatim të qëndrueshëm të ligjit pas miratimit të tij, duke theksuar se nuk do të ketë trajtim preferencial.
Sipas rezultateve të anketës së Institutit të Shëndetit Publik në vitin 2023, deri në 45.4 përqind e popullsisë së rritur në vend u deklaruan si duhanpirës aktivë. Sipas analizës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 14 nga 100 të rinj në vend përdorin duhan, dhe 9 përqind e tyre përdorin cigare elektronike. Që nga viti 2016, përdorimi i cigareve elektronike është dyfishuar.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në emisionin TROÇ në Portalb.mk, tha se gjobat janë maksimale dhe do të arrijnë lartësinë e 5 mijë eurove për lokal nëse nuk e respekton Ligjin. Ndërkaq, ata që pijnë duhanin ku nuk është e lejueshme do të duhet të paguajnë nga 200 deri 300 euro.
Sipas tij, edhe nëntë inspektorate tjera do të kyçen në kontrolle përpos Inspektoriatit sanitar dhe të Punës. Në çdo tavolinë do të ketë një QR kod që qytetarët të mund të denoncojnë parregullsi, tha ai.
Ai thotë se Ligji kundër duhanit nuk do t’i dëmtojë as duhanpirësit as afaristët por është një hap që duhet me patjetër ta marrim si shtet. Për atë se cilat janë ndryshimet që do ti sjellë Ligji për mbrojtje nga duhani si dhe kush do ta implementojë ndiqeni episodin e plotë.
Projektligji për mbrojtjen nga duhani në Maqedoninë e Veriut synon të reduktojë ndjeshëm ndikimin e pirjes së duhanit mbi shëndetin publik, duke vendosur zona të veçanta për duhanpirësit dhe duke mbrojtur qytetarët që nuk pinë duhan. Sipas të dhënave të fundit, 13.6% e nxënësve nga klasa e shtatë deri në të nëntën konsumojnë duhan, çka tregon rëndësinë e masave parandaluese në nivel kombëtar. Ligji fillimisht u shty për shkak të shqetësimeve të hotelierëve dhe tregtarëve të vegjël, të cilët paralajmëruan se do të përballen me shpenzime shtesë dhe mund të humbasin vende pune nëse nuk përshtaten me rregullat e reja, duke prekur mbi 4.000 biznese të vogla dhe të mesme. Ligji pritet të përpunohet në Parlament, duke shpresuar për një ulje të numrit të duhanpirësve nën 20% brenda dy viteve.