Shtyhet ligji kundër cigares në Maqedoninë e Veriut?

Ligji për mbrojtje nga duhanpirja me shumë gjasë nuk do të nisë të zbatohet nga 1 marsi, siç parashihet në propozim-zgjidhjen ligjore. Ai do të plotësohet dhe miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por zbatimi do të bëhet në faza, fillimisht edukim dhe paralajmërime, e vetëm më pas gjoba. Sa do të zgjasin fazat ende po vlerësohet. Këtë e konfirmoi këshilltari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nikola Grbçevski , i cili tha se ende po zhvillohen bisedime me të gjitha palët e prekura.

“Unë nuk do ta quaja tërheqje, por zbatim në faza, në kuptimin që në dialog me publikun dhe me komunitetin e biznesit vendosëm të shkojmë me një zbatim më të butë. Zbatim që në fillim do të nënkuptojë paralajmërime dhe edukim. Kjo është pjesë e fazës së harmonizimit. A do të jenë 6 muaj, 8 muaj apo 3 muaj, nuk mund t’ju them”, tha Grbçevski.

Përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë e mbështesin ligjin, por i kanë kërkuar Qeverisë që zbatimi të zgjasë tre vjet, e vetëm pas kësaj të fillojnë gjobat. Ata kanë paralajmëruar se nëse zbatohet menjëherë, do të dëmtojë biznesin, duke çuar në mbyllje objektesh dhe largim të punëtorëve nga puna.

Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon një shtrëngim drastik të politikës shtetërore ndaj pirjes së duhanit dhe produkteve të duhanit.

Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, projektligji i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë parashikon edhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës.