Qeveria do t’i dëmshpërblejë qytetarët që pësuan dëme nga moti i stuhishëm në Shkup

Qytetarët e prekur nga moti i keq që shkaktoi dëme në disa zona të Shkupit do të mund të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti, pasi të përfundojë procedura e vlerësimit të dëmeve nga komisionet kompetente. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mundësinë e kompensimit për qytetarët e prekur, tha se komunat duhet të formojnë komisione të posaçme që do të dalin në terren, do të evidentojnë dëmet dhe do të përgatisin raportet për institucionet qendrore, transmeton Portalb.mk.

“Sa i përket dëmshpërblimit të qytetarëve që pësuan dëme nga moti i keq, mund të them se komunat dhe institucionet në kuadër të tyre formojnë komisione. Qytetarët që kanë pësuar dëme duhet t’i paraqesin ato pranë këtyre komisioneve”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, pas paraqitjes së kërkesave, komisionet do të bëjnë vlerësimin e dëmeve në terren dhe raportet do t’i dorëzohen Komitetit për Vlerësimin e Dëmeve, i cili më pas do t’ia përcjellë Qeverisë.

“Ne, në përputhje me ligjin dhe praktikën, do të ndërhyjmë dhe do t’i dëmshpërblejmë të gjithë qytetarët që kanë paraqitur dëmet e tyre”, tha kryeministri.

Mickoski u bëri thirrje qytetarëve të cilët kanë pësuar dëme nga reshjet e dendura, era e fortë apo moti i lig që t’i paraqesin ato në institucionet kompetente, në mënyrë që ekipet e vlerësimit të mund të dalin në terren dhe të dokumentojnë gjendjen.

“Apeloj te të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme t’i paraqesin ato, në mënyrë që Komisioni të dalë në terren, t’i konstatojë dëmet dhe Qeveria të marrë specifikimin e tyre, që të mund t’i dëmshpërblejmë”, shtoi Mickoski.

Procedura për kompensim, sipas kryeministrit, do të zhvillohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe kriteret për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe kushtet e jashtëzakonshme.

Ndërkohë, qytetarët e prekur pritet të informohen nga komunat për mënyrën e paraqitjes së dëmeve, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatet për dorëzimin e kërkesave.

Kujtojmë se u lënduan njëzet e dy persona nga stuhia që goditi më 21 korrik kryeqytetin dhe të cilët kërkuan ndihmë në Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” në Shkup, njoftoi drejtori i spitalit, Nebojsha Nastov. Dy prej tyre, siç tha ai, janë pranuar për trajtim spitalor, ndërsa të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditur se 11 pacientë janë pranuar në Klinikën Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendrën Urgjente (TOARILUC). Tre prej tyre kanë lëndime më të rënda, ndërsa tetë të tjerë lëndime më të lehta.

Era e fortë që goditi kryeqytetin arriti në një moment shpejtësinë prej 130 kilometrash në orë, çka sipas klasifikimit të fuqisë së erës konsiderohet erë me fuqi uragani. Këtë e bëri të ditur Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), duke iu referuar të dhënave të regjistruara nga stacioni automatik meteorologjik në Shkup.

Pas stuhisë me erëra të forta dhe reshje shiu, në numrin unik për thirrje emergjente 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), deri në orën 22:00 në Shkup janë regjistruar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.

LEXO: Era që goditi dje Shkupin ishte në kategorinë e uraganit, dhjetëra pacientë u pranuan në spitale me lëndime dhe fraktura