Përmbytje në disa institucione dhe qytete të RMV-së: 117 makina u dëmtuan, në numrin 112 u pranuan mbi 9.000 thirrje

Pas stuhisë me erëra të forta dhe reshje shiu që dje përfshiu territorin e Maqedonisë së Veriut, në numrin unik për thirrje emergjente 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), deri në orën 22:00 në Shkup janë regjistruar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar, transmeton Portalb.mk.

Nga stuhia e djeshme në Shkup janë dëmtuar edhe disa objekte shtetërore, përfshirë objektin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vilat e Vodnos”, Bazën Policore të Aeroportit në Petrovec, objektin e “Nova Makedonija”, si dhe ndërtesat e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.

“Në kuadër të Qendrës Rajonale për Punë Kufitare – Veri, pasojat më të mëdha janë regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku për shkak të rrjedhjes së çatisë u ndërpre puna në pikën e daljes nga shteti për rreth një orë e gjysmë. Në Qendrën Transitore Tabanoc janë evidentuar dëmtime në një pjesë të objekteve të përkohshme për akomodimin e migrantëve (çadra dhe objekte ndihmëse), si dhe pemë të rrëzuara pa shkaktuar dëme materiale”, njoftoi MPB.

Qendra Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup njoftoi se për shkak të stuhisë është shkaktuar dëm i madh material në çatinë e pishinës, e cila përkohësisht nuk do të funksionojë.

Sipas QMK-së, në rajonin e Shkupit janë raportuar më së shumti pemë të rrëzuara, automjete dhe çati të dëmtuara, kabllo elektrike të këputura, shtylla të rrëzuara dhe dëmtime të tjera. Njoftimet kanë ardhur nga të gjitha komunat e Qytetit të Shkupit.

Në territorin e Tetovës nuk janë regjistruar raste më të rënda që kanë kërkuar ndërhyrje urgjente. Janë evidentuar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa shërbimet kompetente ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, e cila mbetet stabile dhe nën kontroll.

Në Rajonin e Vardarit janë regjistruar pasoja nga moti i stuhishëm, përfshirë pemë dhe degë të rrëzuara, çati dhe strehëza të dëmtuara, si dhe kabllo elektrike të këputura.

Në terren janë angazhuar njësitë zjarrfikëse, ndërmarrjet komunale, policia dhe ekipet e EVN-së. Në pjesë të Shën Nikollës, Llozovës, Çashkës dhe vendbanimeve përreth ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjetin elektroenergjetik. Në zonën industriale të Kavadarit, për shkak të rënies së telave elektrikë, shpërtheu një zjarr që u lokalizua menjëherë.

Në Kumanovë janë regjistruar shumë denoncime nga qytetarët për pasojat e stuhisë. Janë evidentuar pemë të rrëzuara në disa lokacione, fasada dhe çati të dëmtuara, çati të shembura, dëmtime në infrastrukturën elektrike, shtylla dhe kabllo të rrëzuara. Janë regjistruar edhe raste kur pemët kanë rënë mbi automjete, duke shkaktuar dëme materiale. Të gjitha rastet janë përcjellë tek shërbimet kompetente.

Në rajonin që mbulon QMK-ja e Manastirit, pasoja janë regjistruar në një pjesë të rajonit të Prilepit. Është shkëputur çatia prej llamarine e ndërtesës administrative të NP “Pyjet Kombëtare – Crn Bor”, ndërsa punonjësit po punojnë për sanimin e dëmeve.

Në Rajonin Lindor janë regjistruar pasoja nga era e fortë dhe reshjet. Në Probishtip janë evidentuar pemë dhe degë të rrëzuara, çati të dëmtuara të objekteve private dhe afariste, oxhaqe të rrëzuara, automjete të dëmtuara, bllokim i rrugës nga fshati Ratavicë drejt Zletovës dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Koçan janë regjistruar çati të dëmtuara, pemë dhe degë të rrëzuara, shtylla të anuar dhe bodrume të përmbytura. Rreth 80 për qind e qytetit mbeti pa energji elektrike, ndërsa për shkak të ndërprerjes së punës së pompave të ujit pati edhe ndërprerje të furnizimit me ujë. Për situatën u mbajt mbledhje e Shtabit Komunal të Krizës.

Në Shtip janë evidentuar shumë pemë dhe degë të rrëzuara që vështirësuan komunikacionin, dëmtim i çatisë së një objekti në rrugën “Vita Pop Jordanova”, si dhe dëmtim i rreth 50 për qind të çatisë së Spitalit Klinik të Shtipit, ku u përmbytën edhe disa hapësira spitalore. Njësia Territoriale e Zjarrfikësve dhe ndërmarrjet publike janë në terren për sanimin e pasojave. Në Vinicë janë regjistruar vetëm degë të rrëzuara, pa pasoja më serioze.

Në Strumicë janë regjistruar ndërprerje në rrjetin elektrik të tensionit të ulët, tela të këputur dhe shtylla të rrëzuara, çati të dëmtuara, një billboard i rrëzuar, si dhe pemë të thyera dhe të shkulura. Në sektorin e bujqësisë janë raportuar sera të dëmtuara, mbulesa plastike të marra nga era dhe dëme në kulturat bujqësore. Ekipet kompetente ndodhen në terren dhe po punojnë për eliminimin e pasojave.

“U bëjmë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të mos lëvizin pranë pemëve, shtyllave dhe kabllove elektrike të dëmtuara dhe çdo rrezik ta raportojnë në numrin unik të emergjencës 112. Institucionet kompetente do të mbeten në terren deri në eliminimin e plotë të pasojave të motit të lig”, thuhet në njoftimin e QMK-së.

Sipas parashikimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe periudha me diell. Parashikohen reshje të kohëpaskohshme shiu dhe paqëndrueshmëri lokale me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa vende do të ketë kushte për stuhi me breshër. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit herë pas here erë e fortë nga veriu me shpejtësi mbi 60 km/h.

Në Shkup moti do të jetë pjesërisht i vranët me periudha me diell, ndërsa në disa pjesë të luginës priten reshje shiu, bubullima dhe erë e fuqishme. Nesër moti do të stabilizohet, ndërsa më 24 korrik pritet të jetë më i freskët, me reshje të herëpashershme shiu, në disa vende më të dendura, si dhe kushte për stuhi lokale.