Mosrespektimi i rekomandimeve në Gostivar mbart rrezikun e paraqitjes së Hepatitit A, paralajmëroi ISHP

Derisa vazhdon gjendja e krizës për shkak të epidemisë në Gostivar, më e rëndësishmja është të respektohen rekomandimet dhe masat e institucioneve kompetente për të parandaluar shfaqjen e rasteve të reja të sëmundjes. Sa u përket pacientëve, ata kanë pasqyrë të lehtë klinike, çka është një zhvillim pozitiv, por situata nuk duhet të relativizohet. Çdo person që shfaq simptoma duhet të paraqitet menjëherë te mjeku për vlerësimin e gjendjes së tij, thotë doktori Dragan Koçinski, transmeton Portalb.mk.

“Ajo që është shumë e rëndësishme është se nuk duhet të pritet që numri i të sëmurëve të ulet brenda një periudhe të shkurtër. Nëse nuk respektohen masat dhe rekomandimet e institucioneve, mund të ndodhë përhapje përmes kontaktit, pra një ‘bisht i zgjatur’ i epidemisë hidrike, me raste të reja që do të paraqiten për një periudhë më të gjatë. Gjithashtu, pas rreth një muaji mund të shfaqen edhe sëmundje të tjera që lidhen me mungesën e higjienës personale. E kam fjalën për hepatitin A, i njohur si sëmundja e duarve të papastra, i cili pas një periudhe inkubacioni mesatarisht 30-ditore mund të paraqitet si raste të izoluara ose si epidemi më e vogël apo më e madhe”, deklaroi dr. Dragan Koçinski, udhëheqës i Departamentit për Epidemiologjinë e Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik (IShP).

Në IShP është rritur numri i telefonatave nga qytetarët lidhur me cilësinë e ujit.

“Qytetarët nuk duhet t’u besojnë dezinformatave që qarkullojnë në rrjetet sociale. Sot kemi pasur numër të shtuar telefonatash nga qytetarë të shqetësuar, të cilët pyetnin nëse uji është i kontaminuar me metale të rënda dhe kimikate. Nuk ka nevojë për panik në këtë moment. Duhet të ndiqen burimet zyrtare dhe masat e rekomandimet që japin institucionet shëndetësore”, shtoi dr. Koçinski.

Sa i përket respektimit të masave dhe rekomandimeve në objektet hotelierike, ai tha se nuk dëshiron të spekulojë, pasi për këtë janë përgjegjëse institucione të tjera kompetente.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.