Qendrat familjare kundër dhunës: Saraji, Bogovina dhe Çairi të gatshme, por presin para dhe rregulla nga Qeveria

Propozimi i Partisë Liberal Demkratike (PLD) për krijimin e qendrave familjare për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve në secilën komunë ka hapur çështjen se sa janë të gatshme komunat t’i hapin të njëjtat dhe t’i mirëmbajnë, ja se si qëndron situata në Komunën e Çairit, Sarajit dhe Bogovinës, shkruan Portalb.mk.

PLD-ja ka paralajmëruar nismë për krijimin e qendrave familjare në të gjitha komunat e vendit, me qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për familjet dhe të rinjtë, si dhe parandalimin dhe trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sipas partisë, në komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, mbështetja duhet të sigurohet nga pushteti qendror. Por, kjo nismë ende nuk është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të bëhet së shpejti.

Nga Komuna e Sarajit theksuan se në momentin që përcaktohen qartë përgjegjësitë e komunave dhe krijohet baza ligjore do të mbështesin një nismë të tillë. Nga aty shtojnë se një qendër e tillë kërkon profesionistë të fushës, hapësirë të përshtatshme dhe mjete financiare për funksionimin e saj dhe për këtë arsyeje, mundësia për themelimin e saj do të varej edhe nga mënyra se si do të përcaktohej financimi dhe përgjegjësitë me ligj. 

“Komuna do të ishte e gatshme të shqyrtojë mundësitë brenda kapaciteteve të saj dhe të bashkëpunojë me institucionet qendrore për sigurimin e mbështetjes së nevojshme. Komuna e Sarajit i kushton rëndësi bashkëpunimit me shkollat, drejtorët, mësimdhënësit, shërbimet profesionale dhe prindërit në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës mes nxënësve…Nga institucionet qendrore nevojitet më shumë mbështetje profesionale dhe financiare, veçanërisht për programe parandaluese, trajnime dhe angazhimin e profesionistëve që mund të punojnë drejtpërdrejt me fëmijët dhe familjet”, thanë nga Komuna e Sarajit.

Komuna e Bogovinës thotë se për iniciativën e PLD-së, kanë dëgjuar vetëm përmes mediave, por nuk kanë marrë njoftim zyrtar. Nga atje vlerësojnë se hapja e qendrave familjare në komunat e vendit është nismë e mirë dhe e mirëpresin. Siç thonë nga atje, nismat e tilla duhet të diskutohen me të gjithë palët dhe të shikohen edhe mundësitë se si qëndrojnë për të marrë hapa konkret.

“Çdo iniciativë e cila lufton dhunën, bulizmin, ngacmimin apo çfarë do qoftë të këtij karakteri është e mirëseardhur nga ana jonë. Deri sa nuk ka një nismë zyrtare dhe të ketë debat publik, për të parë se cilat do të jenë detyrimet tona në këtë aspekt nuk mund të themi asgjë më shumë”, theksuan nga Komuna e Bogovinës.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Çairit për Portalb.mk, nuk folën konkretisht për iniciativën e PLD-së, thanë se i kushtojnë rëndësi të veçantë parandalimit të dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe mirëqenies së fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve. Sipas tyre, dhuna mes bashkëmoshatarëve është komplekse dhe kërkon ndërhyrje gjithëpërfshirëse. 

“Vlerësojmë se kjo problematikë kërkon qasje të përbashkët dhe të koordinuar ndërmjet shkollave, psikologëve, prindërve, komunës dhe institucioneve kompetente. Komuna mbështet iniciativat që kontribuojnë në parandalimin e dhunës dhe bullizmit dhe në përputhje me kompetencat dhe mundësitë e saj, do të vazhdojë të ndërmarrë dhe mbështesë aktivitete që synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë”, deklaruan nga Komuna e Çairit. 

Ndryshe, rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë raportuar mesatarisht çdo vit në shkollat e vendit gjatë tre viteve të fundit shkollore, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar masa të reja për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë ose refuzojnë bashkëpunimin me institucionet.