Qendrat familjare kundër dhunës, Gostivari, Tetova, Zhelina dhe Kërçova, të gatshme t’i hapin por kërkojnë mbështetje nga qeveria
Komuna e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe e Zhelinës shprehen të hapura ndaj nismës së Partisë Liberal-Demokratike (PLD) për krijimin e qendrave familjare për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve në nivel lokal, por theksojnë se zbatimi i saj do të kërkonte bazë të qartë ligjore, staf profesional dhe mbështetje financiare nga pushteti qendror, shkruan Portalb.mk.
PLD-ja ka paralajmëruar nismë për krijimin e qendrave familjare në të gjitha komunat e vendit, me qëllim ofrimin e mbështetjes profesionale për familjet dhe të rinjtë, si dhe parandalimin dhe trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Sipas partisë, në komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, mbështetja duhet të sigurohet nga pushteti qendror. Por, kjo nismë ende nuk është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të bëhet së shpejti.
Për të parë se si qëndrojnë komunat sa i përket kapaciteteve profesionale dhe financiare për një nismë të tillë, Portalb.mk bisedoi me Komunën e Gostivarit, Tetovës, Zhelinës dhe Kërçovës.
Nga Komuna e Gostivarit për Portalb thanë se deri tani nuk janë njoftuar zyrtarisht për propozimin, por u shprehën të hapur për nisma që kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e fëmijëve.
“Nëse krijohet baza ligjore dhe përcaktohen kompetencat, Komuna e Gostivarit është e gatshme ta shqyrtojë seriozisht mundësinë dhe kapacitetet për mbështetjen e saj, pasi prioriteti ynë mbetet siguria dhe mirëqenia e fëmijëve”, thanë nga komuna.
Nga Gostivari shtuan se në kuadër të masave parandaluese zhvillohen rregullisht takime dhe trajnime me pedagogët, si dhe bashkëpunim me Policinë dhe Qendrën për Punë Sociale.
Edhe Komuna e Tetovës u shpreh e interesuar për një mekanizëm të tillë, por thekson se para se të merret një qëndrim konkret duhet të prezantohet modeli i propozuar, kompetencat dhe mënyra e financimit.
Nga atje thanë se Komuna e Tetovës tashmë ka një mekanizëm aktiv në këtë fushë. Këshilli Lokal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve funksionon që nga maji i vitit 2023 dhe gjatë gjithë vitit zhvillon trajnime, punëtori dhe ligjërata me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të punohet me fëmijët para se të paraqitet problemi, pra përmes edukimit, ndërgjegjësimit dhe parandalimit”, thanë nga Komuna e Tetovës, duke theksuar se dhuna mes bashkëmoshatarëve është problem kompleks që nuk mund të zgjidhet vetëm nga shkolla apo komuna”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Sipas tyre, nevojitet bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet shkollave, familjeve, komunës, shërbimeve profesionale, institucioneve sociale dhe policisë, ndërsa nga institucionet qendrore kërkohet më shumë mbështetje në programe parandaluese, kapacitete profesionale dhe financim.
Ndërkaq, Komuna e Kërçovës tha se është e njoftuar me propozimin dhe mbështet çdo nismë që synon parandalimin dhe zvogëlimin e dhunës tek fëmijët dhe të rinjtë.
Nga atje vlerësojnë se, nëse ekziston kornizë e përshtatshme ligjore dhe institucionale, është e mundur të shqyrtohet krijimi i një modeli të tillë edhe në nivel lokal.
“Komuna e Kërçovës do të mbështeste një nismë që është e hartuar mirë, e rregulluar ligjërisht dhe e qëndrueshme financiarisht, veçanërisht nëse ofron ndihmë profesionale për fëmijët, prindërit dhe shkollat”, thanë nga Komuna e Kërçovës.
Sipas tyre, krijimi i një qendre të veçantë do të kërkonte sigurimin e hapësirës, stafit profesional dhe burimeve financiare, ndaj zbatimi i saj do të duhej të mbështetej nga qeveria qendrore dhe të shoqërohej me përgjegjësi të përcaktuara qartë.
Nga Komuna e Kërçovës theksuan gjithashtu nevojën për njohje të hershme të rasteve të dhunës, punë të vazhdueshme me nxënësit, prindërit dhe mësuesit, si dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve.
Komuna e Zhelinës gjithashtu e vlerësoi nismën si të rëndësishme, por thekson se aktualisht nuk disponon kapacitete të mjaftueshme financiare për themelimin dhe funksionimin e një qendre të tillë.
“Aktualisht komuna nuk disponon kapacitete të mjaftueshme financiare për themelimin dhe funksionimin e një qendre të tillë. Për një zgjidhje të qëndrueshme nevojitet mbështetje financiare, profesionale dhe institucionale nga autoritetet qendrore, si dhe një përcaktim i qartë i kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve përkatëse”, thanë nga Komuna e Zhelinës.
Nga Komuna e Zhelinës theksuan se, në bashkëpunim me institucionet arsimore, punojnë për krijimin e një mjedisi të sigurt në shkolla, por se nevojiten më shumë programe parandaluese, aktivitete edukative dhe trajnime për nxënësit, prindërit dhe stafin arsimor.
Ndryshe, rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë raportuar mesatarisht çdo vit në shkollat e vendit gjatë tre viteve të fundit shkollore, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar masa të reja për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë ose refuzojnë bashkëpunimin me institucionet.
Në tekstin e radhës do të mund të lexoni për Komunën e Kumanovës, Strugës, Haraçinës dhe Likovës.