Deputetët që nuk u dëgjohet zëri në Kuvend: Ali Ahmeti ka marrë pjesë vetëm në tre seanca, Menduh Thaçi në katër
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Valentina Marçevska në gjysmën e parë të vitit të kaluar nuk janë paraqitur asnjëherë për diskutim në Kuvend, nuk kanë propozuar ligj apo amandament dhe nuk kanë qenë anëtarë në ndonjë komision parlamentar, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave nga platforma pratenici.mk, Ahmeti ka marrë pjesë në vetëm tre seanca ndërsa Thaçi në katër.
Në listën e deputetëve më të parregullt janë edhe Sadulla Duraku, i cili ka marrë pjesë në 15 seanca, Skender Rexhepi dhe Valbona Adili-Emini të cilët kanë marrë pjesë në 16 prej gjithsej 56 seancave.
Platforma tregon se 45 nga gjithsej 120 deputetë nuk janë paraqitur fare për të diskutuar për ndonjë çështje.
78 nga 120 deputetë nuk kanë parashtruar asnjë pyetje në periudhën janar–qershor 2025. 36 nuk kanë marrë pjesë në propozimin e amendamenteve, ndërsa 13 nuk kanë nënshkruar asnjë propozim-ligj.
Sipas të dhënave nga platforma, deputetët më aktiv gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar kanë qenë Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, Sali Murat nga Lëvizja e Turqve, Jovanka Trençevska nga LSDM, Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE dhe Daniella Nikolova nga LSDM.