Qendra për Kulturë në Gostivar synon një vit më të pasur me ngjarje dhe investime
Gjatë vitit 2025, Qendra për Kulturë në Gostivar ka realizuar me sukses pothuajse të gjitha aktivitetet e parashikuara me Programin Vjetor. Ndërkohë, për vitin 2026 tashmë është dorëzuar kërkesa në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, me 35 propozim-projekte nga fusha të ndryshme kulturore, të cilat përfshijnë një buxhet të përgjithshëm të planifikuar prej 8.188.215 denarësh. Rezultatet pritet të publikohen në fund të janarit ose gjatë shkurtit, shkruan Portalb.mk.
Ismet Islami drejtor i Qendrës për Kulturë në Gostivar për Portalb.mk tha se objektivi kryesor i kësaj qendre mbetet që të pasqyrojë realitetin e Gostivarit dhe të jetë një derë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallime, duke krijuar hapësirë për bashkëjetesë kulturore, kreativitet dhe përfshirje të gjerë të komunitetit në aktivitetet artistike dhe edukative.
“Gjatë vitit 2025, me sukses janë realizuar pothuajse të gjitha aktivitetet e parashikuara me Programin Vjetor. Sa i përket vitit 2026, tashmë kemi dorëzuar kërkesën për Programin Vjetor, duke paraparë 35 propozim-projekte nga fusha të ndryshme, si: biblioteka, muzika dhe folklori, poezia, ekspozitat, drama, botimet, si dhe investimet. Të gjitha këto propozime përfshijnë një shumë të përgjithshme të planifikuar prej 8.188.215,00 denarësh dhe kërkesa është dërguar në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Aktualisht presim përgjigjen për rezultatet e Programit Vjetor, të cilat, si zakonisht, pritet të publikohen në fund të janarit ose gjatë shkurtit”, tha Islami.
Ai shtoi se objektivi i tyre është që Qendra për Kulturë në Gostivar të pasqyrojë realitetin e qytetit, duke qenë një derë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallime.