Europa që frymon, shpreson, vuan, lodhet, zhgënjehet dhe trishtohet, ka ditur të ripërtërihet pas krizave të mëdha. Ajo doli nga terri në dritë falë burrështetasve dhe të mendjeve gjeniale që kanë shkruar me admirim për kulturën, historinë dhe identitetin e saj, por edhe e kanë krijuar vizionin për Europën e vlerave të përbotshme.
Victor Hugo-ja e parashikoi krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës. Stefan Zweig-u e ëndërroi Europën si atdhe të përbashkët për ata që e ndienin veten europianë, por u zhgënjye dhe përfundoi tragjikisht, teksa shihte triumfin e nazizmit. Për Albert Camus-in, Europa ishte vendi i mendimit kritik. Për Vaclav Havel-in, ajo ishte hapje drejt vlerave të përbotshme. Sipas Tomas Mann-it, vlerat kryesore të Europës janë: liria si thelb i jetës; jeta si proces krijues; zgjedhja e lirë e njerëzve; toleranca e mirëkuptimi; baraspesha midis shpirtit e fuqisë dhe mbrojtja e dinjitetit të njeriut. Vlera që duhet të ruhen me përkushtim.
Denis de Rougemont-i mendonte se Europa e bashkuar nuk ishte vetëm rrugëdalje ekonomike dhe politike, por ideal i dëshmuar tash e mijëra vjet nga shpirtrat më të mirë të saj; nga ata që shikonin më larg dhe më përpara.
“Ne do ta gjejmë Europën vetëm duke e krijuar. Duke e ripërtërirë vazhdimisht ndriçimin e gjeniut të saj të veçantë, që me të drejtë themi se është i përbotshëm”, shkroi ai.
Sipas José Saramagos, Europa është historia vetëkritike dhe e vetmja pjesë e botës që e ka shpikur vazhdimisht veten.
Edhe për shkrimtarin Imre Kertesz, Europa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por është edhe mendje e shpirt.
Europa e lartësuar mbi themelet e kulturës antike, ndriçoi prore përkundër përpjekjeve të përhershme për ta zbehur qytetërimin e saj. Ajo shkëlqeu edhe pas stinëve të errëta, sepse brenda qytetërimit nuk reshtën së dëgjuari jehonat e kohërave të lashta. Ky qytetërim i ndriçuar nga drita e mendjeve gjeniale, i cili rrënjët i ka të shtrira në thellësi të epokave, u shtri përtej kufijve të kontinentit.
Në Europë, si djep i demokracisë që me agorën greke, lindi ideja e shtetit qytetar, por edhe formula mbi “vlerën e pakufishme të njeriut”, si kundërpërgjigje ndaj çdo lloj skllavërie.
SHQIPTARËT DHE ËNDRRA EUROPIANE. Europa ishte ëndrra e shkrimtarëve dhe e mendimtarëve të shquar shqiptarë. Ata e theksuan se hapësira shqiptare ishte europiane për nga gjeografia, historia, gjuha dhe kultura, kurse orientimi i shqiptarëve drejt Europës ishte proces i natyrshëm.
Rilindësit kanë shkruar me admirim për vlerat europiane. Sipas vizionit të tyre, Europa ishte simbol i kulturës, i dijes dhe i përparimit.
Të njëjtën qasje e kishin edhe mendimtarët shqiptarë të viteve 30 të shekullit të kaluar.
Nëse rilindësit e krijuan ëndrrën për shtetin e pavarur shqiptar, mendimtarët e viteve 30 të shekullit XX, tashmë kur ky shtet ishte krijuar, punuan me mendje e shpirt për formësimin e shtetit modern sipas modelit dhe vlerave europerëndimore. Ata besonin se shqiptarët do të bëheshin pjesë e Europës së qytetëruar vetëm pasi ta kultivonin brenda vetes ndjenjën e europianizmës; vetëm pasi ta kultivonin identitetin europian, krahas identitetit të tyre kombëtar. Dy identitete që plotësohen dhe nuk përjashtohen.
Faik Konica, që Robert Elsie e quajti “europiani i vërtetë”, e shihte vendin e shqiptarëve në mesin e kombeve europiane. Shqipëria për të ishte vendi shkëmbor i Europës Juglindore. Konica edhe e kritikoi Europën, sepse ajo i shihte shqiptarët si të prapambetur edhe pse ata, siç thotë ai, kishin shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në historinë e Europës.
Edhe Kadare e pa Europën si shtëpinë kulturore të shqiptarëve, kurse studentët shqiptarë, që iu kundërvunë njëmendësisë komuniste, dolën me sloganin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Europa shpesh i paragjykoi shqiptarët dhe ballkanasit. Paragjykime që shprehen edhe sot në forma të sofistikuara dhe që janë kritikuar nga shumë mendimtarë europianë.
Jemi mësuar të lexojmë në shtypin tonë vetëm shkrime të autorëve që i vlerësuan shqiptarët, por ka shumë shkrime të udhëpërshkruesve dhe diplomatëve europianë ku nuk gjejmë epitete si të George Byron-it, por edhe paragjykime, përçmim dhe përbuzje për shqiptarët. Këto të dhëna duhet të bëhen të ditura, sepse e kuptojmë se çfarë perceptimi ekzistoi për ne dhe si të punojmë që t’i rrënojmë paragjykimet e ndryshme.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.