Putini e pranoi se Rusia e rrëzoi aeroplanin me pasagjerë të Azerbajxhanit vitin e kaluar ku u vranë 38 persona

Vladimir Putin tha se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi një aeroplan pasagjerësh nga Azerbajxhani në dhjetor të vitit të kaluar, hera e parë që Rusia merr përgjegjësinë për një incident që vrau 38 persona, transmeton Portalb.mk.

Putin tha se një raketë e lëshuar nga Rusia drejt një droni ukrainas shpërtheu pranë aeroplanit të Azerbajxhanit Airlines që po fluturonte nga Baku dhe ishte gati të ulej në Grozni, kryeqytetin e Çeçenisë. Në takimin me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev në një samit të ish-republikave sovjetike në Taxhikistan, Putin u zotua se ata që janë përgjegjës për rrëzimin do të ndëshkohen.

“Mbrojtja ajrore ruse, e cila po synonte një dron ukrainas, qëlloi aeroplanin e pasagjerëve nga Azerbajxhani për shkak të një mosfunksionimi teknik, me dy raketa që shpërthyen vetëm 10 metra larg tij. Rusia do të bëjë gjithçka për të siguruar kompensim dhe për të ndëshkuar veprimet e të gjithë zyrtarëve përgjegjës, megjithëse jemi të vetëdijshëm se kjo nuk do t’i kthejë jetët e humbura”, tha Putin.

Autoritetet e Azerbajxhanit dyshuan menjëherë se Embraer 190 u godit aksidentalisht nga një raketë ruse, pas së cilës u përpoq të ulej në Kazakistan. Disa ditë pas rrëzimit, Putin i kërkoi falje Aliyevit, por nuk e pranoi fajin e Rusisë. Ndërkohë, Aliyev kritikoi Moskën për përpjekjen për të mbuluar incidentin, i cili ka tensionuar marrëdhëniet përndryshe të ngrohta midis dy vendeve.