Pushimi mjekësor nga mjeku amë në RMV do të ulet nga 7 në 5 ditë, pacienti do të kontrollohet nëse është në shtëpi
Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSh) do t’i propozojë Bordit Drejtues ndryshime në Rregulloren për pushimin mjekësor, por edhe ndryshime në kriteret për kontroll, me qëllim që të jemi të sigurt se mjetet që i paguajmë arrijnë te ata që kanë më së shumti nevojë dhe të sigurohemi se do të kemi mekanizma që do të na mundësojnë parandalimin e keqpërdorimit të mundshëm të pushimit mjekësor, tha dje drejtori Zlatko Perinski, transmeton Portalb.mk.
Një nga ndryshimet e propozuara është ulja e numrit të ditëve për të cilat mjeku amë mund të lëshojë pushim mjekësor, nga shtatë në pesë ditë. Me ndryshimet lehtësohet procedura për lëshimin e pushimit mjekësor për personat të cilët nuk janë në gjendje të paraqiten fizikisht për ta marrë atë.
“Në pjesën e kontrollit, vendosim mekanizma për kontrolle të përbashkëta me aktorët e tjerë në kuadër të sistemit, siç është Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim që të mund të kryejmë kontrolle në mënyrë adekuate, brenda kufijve të secilit sektor. Risia është se, në përputhje me raportin e kontrolluesit, dokumentacioni mjekësor i lëshuar për pushim mjekësor nga komisioni mjekësor do të mund të rishikohet më tej. Pushimet mjekësore janë gjithmonë çështje e ndjeshme për opinionin. Megjithatë, ideja është ta parandalojmë keqpërdorimin e të drejtës për pushim mjekësor, por edhe të parandalojmë keqpërdorimet në kuadër të falsifikimit të pushimit mjekësor, për shkak se Fondi për Sigurim Shëndetësor për vitin 2026, në kuadër të buxhetit të tij, ka paraparë 6 miliardë e 454 milionë denarë për pushimet mjekësore dhe pushimin e lehonisë. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe në këtë drejtim duhet ta forcojmë sistemin e kontrollit”, tha Perinski.
Në praktikë, siç sqaroi ai, kjo do të thotë se një kontrollues, në mënyrë të rastësishme, por edhe pas një denoncimi nga punëdhënësi, do të mund të trokasë në derën e banesës ku ndodhet një person i siguruar që është në pushim mjekësor. Nëse kontrolluesi nuk e gjen në shtëpi personin që është në pushim mjekësor, në këtë rast lë një dokument me të cilin personi detyrohet të paraqitet te komisioni përkatës mjekësor dhe të shpjegojë pse nuk ka qenë në shtëpi ose pse nuk ka qenë në vendin ku duhet ta kalojë pushimin mjekësor. Për këtë do të njoftohen edhe punëdhënësit.
Bordi Drejtues do të mbajë mbledhje javën e ardhshme, ndërsa pas miratimit të ndryshimeve nga Bordi Drejtues, do të sigurohet mendim pozitiv dhe pëlqim nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas ndryshimet do të hyjnë menjëherë në fuqi.
Perinski tha gjithashtu se, sipas rregullores aktuale, kur lëshohet një recetë nga shërbimet kujdestare, ajo duhet të realizohet brenda së njëjtës ditë, përkatësisht deri në mesnatë.
“Propozojmë që t’i paraqesim Bordit Drejtues ndryshim që kjo recetë të ketë afat vlefshmërie prej 24 orësh, në mënyrë që pacienti që ka marrë shërbim shëndetësor gjatë orëve të vona të kujdestarisë të mos jetë në garë me kohën për ta realizuar atë”, shtoi ai.
Rregullat për pushimet mjekësore nuk janë rishikuar që nga viti 2012.
Sipas të dhënave të prezantuara, numri i pushimeve mjekësore deri në 30 ditë është rritur me 33 përqind krahasuar me periudhën 2021–2025, ndërsa numri i përfituesve është rritur me 6 përqind.
Diagnozat më të shpeshta për pushimet mjekësore janë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe gastroenteriti, përkatësisht inflamacioni i lukthit dhe zorrëve.
Ndërkohë, numri i pushimeve të gjata mjekësore ka mbetur pothuajse i njëjtë, rreth 25 mijë në vit, por shuma e mjeteve të paguara për to është rritur disa herë.