Perinski: Mjekët amë do të japin deri në pesë ditë pushim mjekësor, Fondi do të kontrollojë nëse të sëmurët janë në shtëpi
Kontrolle më të rrepta të pushimeve mjekësore paralajmëroi sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Zllatko Perinski. Ai tha se Bordit Drejtues do t’i propozohet ndryshimi i Rregullores për pushimin mjekësor, me qëllim që të sigurohet se mjetet që paguhen arrijnë te ata që kanë më shumë nevojë për to, si dhe të forcohen mekanizmat që do të mundësojnë parandalimin e keqpërdorimeve të mundshme të pushimeve mjekësore, transmeton Portalb.mk.
“Nuk duam të krijojmë një sistem që është më i rreptë, por duam të krijojmë një sistem që është i drejtë”, tha Perinski.
Ai tha se ndryshimi kryesor që do t’i kërkohet Bordit Drejtues është ulja e numrit të ditëve të pushimit mjekësor që mund t’i lëshojë mjeku amë – nga shtatë ditët aktuale në pesë.
„Konsiderojmë se edhe pesë ditë në të ardhmen do të jenë të mjaftueshme për sigurimin e të dhënave shtesë anamnestike ose për vazhdimin e pushimit mjekësor. Procedura për lëshimin e pushimit mjekësor lehtësohet për personat që nuk janë në gjendje të paraqiten fizikisht për ta marrë pushimin mjekësor“, tha ai.
Sipas tij, të dhënat kanë treguar parregullsi në pothuajse 30 përqind të mostrës së shqyrtuar të pushimeve mjekësore në MPB, ku tashmë janë shqiptuar gjoba, ndërsa po përfundon edhe analiza në Ministrinë e Mbrojtjes. Në të ardhmen, kontrollet do të kryhen pas denoncimit nga punëdhënësit ose në mënyrë të rastësishme, në bashkëpunim me DAP-in dhe MPB-në. Nëse personi i siguruar nuk gjendet në shtëpi, ai do të dërgohet para komisionit mjekësor për të dhënë shpjegim.
Muajin e kaluar, sipas të dhënave të paraqitura nga Perinski, Fondi ka paguar mbi 623 milionë denarë për pushime mjekësore, prej të cilave 414 milionë denarë janë ndarë për pushime të lehonisë, ndërsa pjesa tjetër për pushime të tjera mjekësore.
„Duhet të jemi përgjegjës ndaj sistemit që menaxhojmë. Kur themi shifrën prej 623 milionë denarësh të paguara vetëm për pushime mjekësore, është e qartë se duhet të kemi rregulla dhe mekanizma qartë të përcaktuar për kontrollin“, theksoi ai.
Sipas tij, çështja e pushimeve mjekësore dhe pushimeve të lehonisë është gjithmonë e ndjeshme në opinion, ndërsa ideja nuk është të pengohen të drejtat, por keqpërdorimet gjatë shfrytëzimit të pushimit mjekësor.
“Fondi për Sigurim Shëndetësor për vitin 2026, në kuadër të buxhetit të tij, ka paraparë 6 miliardë e 454 milionë denarë për pushime mjekësore dhe pushime të lehonisë. Kjo është një shumë e konsiderueshme dhe në këtë drejtim duhet ta forcojmë sistemin e kontrollit“, shtoi ai.
Perinski theksoi se sa i përket fekondimit të asistuar biologjik, masa për mundësimin e deri në gjashtë tentativave për fertilizim in vitro tashmë po jep rezultate. Nga mbi 1.880 tentativa, 237 kanë qenë tentativa e katërt, e pestë ose e gjashtë.
“Aktualisht po analizojmë gradimin e paketës financiare që ofrojmë për një tentativë. Ekipet mjekësore po punojnë për përcaktimin e një qasjeje më individuale sa i përket lëshimit të vauçerit për fekondim të asistuar biologjik, për tentativën e parë, të dytë ose të tretë, me qëllim që të rrisim mundësinë që në tentativat e para të kemi rezultat pozitiv të gjithë procedurës. Këto janë plane që planifikojmë t’i zbatojmë nga viti 2027, por për të qenë të sigurt se do të kemi edhe strukturën financiare dhe, sigurisht, mbështetjen mjekësore për këtë, do të na duhet edhe pak kohë për t’i përpunuar më tej“, theksoi Perinski.
Si një lehtësim shtesë për pacientët, Fondi do të propozojë ndryshimin e afatit të vlefshmërisë së recetave të lëshuara nga shërbimet kujdestare. Në vend të rregullit aktual, sipas të cilit receta duhet të realizohet po atë ditë deri në mesnatë, do të kërkohet që afati të zgjatet në 24 orë.
Rregullat për pushimet mjekësore nuk janë rishikuar që nga viti 2012.
Sipas të dhënave të prezantuara, numri i pushimeve mjekësore deri në 30 ditë është rritur me 33 përqind krahasuar me periudhën 2021–2025, ndërsa numri i përfituesve është rritur me 6 përqind.
Diagnozat më të shpeshta për pushimet mjekësore janë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe gastroenteriti, përkatësisht inflamacioni i lukthit dhe zorrëve.
Ndërkohë, numri i pushimeve të gjata mjekësore ka mbetur pothuajse i njëjtë, rreth 25 mijë në vit, por shuma e mjeteve të paguara për to është rritur disa herë.