Mbi tre mijë zejtarë në RMV mbeten pa sigurim shëndetësor për shkak të mënyrës të re të përllogaritjes së kontributeve

Më shumë se 3.000 zejtarë mbeten pa sigurim shëndetësor sepse në llogaritë e tyre personale nuk kanë më mjete për t’i paguar kontributet. Ky problem ka tashmë dy muaj që po zgjat pasi në korrik u miratuan ndryshimet në Ligjin për Kontributet nga Sigurimi i Detyrueshëm Social, me të cilat personi i vetëpunësuar, zejtari është i obliguar të paguajë kontribute për sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor. Kjo do të thotë se përllogaritja mujore e pagës tani arrin në emër të punonjësit, e jo si deri më tani në numrin e vetëm tatimor dhe emrin e dyqanit të zejtarisë, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Me këto ndryshime zejtarët kontributet për sigurim shëndetësor dhe pensional, tatimin personal dhe pagën duhet t’i paguajnë nga llogaria personale, e jo nga ajo e dyqanit ku punojnë dhe i cili gjeneron të ardhura mujore.

Siç thonë disa zejtarë, problem shtesë është se nuk do të mund t’i tërheqin të ardhurat nga llogaria e dyqanit, sepse nuk kanë asnjë bazë për këtë.

“Në llogarinë e dyqanit ka para, por në atë timen personale nuk ka sepse gjithçka që kisha i shfrytëzova për t’i paguar kontributet për këta dy muaj. Dhe përveç kësaj, pagesa që e kisha bërë më 27 gusht nuk u regjistrua nga institucioni dhe kontrollin te mjeku mu desh ta paguaja privatisht“, tha një nga zejtarët.

Njerëzit kanë kredi, ndërsa në llogaritë e tyre nuk kanë para për këstin mujor

Nga Oda e Zejtarëve – Shkup konfirmojnë se zejtarët po përballen me këtë problem, për të cilin thonë se tashmë i kanë alarmuar institucionet kompetente.

Nga atje thonë se deri më tani deklaratat për paga dhe kontribute zejtarët i përgatisnin vetë ose këtë e bënte ndonjë zyrë kontabiliteti. Me ndryshimet në Ligj obligimi për përgatitjen e deklaratave kalon tek Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) dhe tani ajo u dërgohet në llogaritë personale të zejtarëve, e jo në numrin e vetëm tatimor të dyqanit.

“Me këto ndryshime zejtarëve u është ndaluar të marrin pagë, ndërsa nga llogaria personale paguajnë vetëm kontribute. Me ndryshimet u shfaqën një mori problemesh sepse njerëzit kanë marrë kredi dhe kanë obligime ndaj bankave për të paguar këste mujore, ndërkohë që nuk kanë kurrfarë të ardhurash“, tha Aneta Atanasovska, drejtoreshë ekzekutive e Odës së Zejtarëve – Shkup.

Ajo konfirmon se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet, të cilave u është theksuar se deklarata për kontributet duhet të dërgohet në numrin e vetëm tatimor dhe pastaj përmes numrit folio, i cili i referohet numrit të vetëm identifikues të cilin e lëshon Drejtoria e të Ardhurave Publike gjatë dorëzimit të përllogaritjeve, pagesat regjistrohen menjëherë në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Shëndetësor.

Atanasovska thotë se zejtarët kanë sigurim shëndetësor pas 48 orëve pasi e kanë kryer pagesën.

Ajo shton edhe se më 1 shtator zejtarët mbetën pa sigurim shëndetësor sepse sistemi i DAP-it kishte vonesa.

Për problemin që e kanë zejtarët Oda në faqen e saj në Facebook ka një postim nga para pesë ditësh ku thuhet se kryesia ka mbajtur takim me ministren e financave, Gordana DimitrieskaKoçoska, ku i janë dorëzuar kërkesat e zejtarëve.

Ata kërkuan sigurimin e mundësisë që personi i vetëpunësuar, me kërkesë personale, të paguajë kontribute në bazë më të lartë sipas ligjit, të sigurohet mundësia për pagesën e pagës për personin e vetëpunësuar – zejtar, hartimin e përllogaritjeve PMAI për të gjithë zejtarët e tatimuar në mënyrë paushalle dhe përcaktimin e afatit në të cilin ato do të jenë në dispozicion.

Ata kërkuan edhe kthimin e sistemit të përgatitjes së  përllogaritjeve PMAI të NVT-së dhe emrin e dyqanit të zejtarisë, në vend të NVAQ dhe emrit e mbiemrit të personit fizik, si dhe sigurimin e regjistrimit pa pengesa të stazhit në Fondin e Sigurmit Pensional dhe Invalidor dhe vazhdimësinë e sigurimit shëndetësor.

Siç thuhet në postimin e Odës së Zejtarëve ministrja e financave ka premtuar se të gjitha problemet e detektuara do të zgjidhen brenda një afati sa më të shkurtër kohor.

Ndryshimet janë në fuqi nga muaji korrik i këtij viti

Përndryshe Drejtoria e të Ardhurave Publike më 13 korrik të këtij viti publikoi njoftim me të cilin i njofton të gjithë punëdhënësit, personat e vetëpunësuar dhe obliguesit tatimorë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Kontributet nga Sigurimi i Detyrueshëm Social (të publikuara në “Gazetën Zyrtare“ nr. 148/2026). Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt në përllogaritjen e pagave dhe kontributeve në periudhën nga muaji korrik deri në muajin dhjetor të vitit 2026.

Sipas ndryshimeve detyrimisht zbatohen shkallë të përkohshme për përllogaritjen dhe pagimin e kontributeve: 19,9 përqind për sigurim të detyrueshëm pensional dhe invalidor, 7,5 për sigurim të detyrueshëm shëndetësor, 0,5 përqind për kontribut shtesë në rast të lëndimit në punë dhe sëmundjes profesionale dhe 0,1 përqind për sigurim në rast të papunësisë.

Nga DAP në njoftim u bëjnë thirrje punëdhënësve dhe zyrave të kontabilitetit që t’i azhurnojnë menjëherë sistemet e tyre softuerike me qëllim dorëzimin pa pengesa të përllogaritjeve PMAI për muajin korrik të vitit 2026.

Një nga risitë është edhe ndryshimi në nenin 13 me të cilin Drejtoria e të Ardhurave Publike merr përsipër obligimin që zyrtarisht t’i hartojë përllogaritjet PMAI për personat e vetëpunësuar që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale sipas të ardhurave neto paushalle, ndërsa obligimi i pagesës u mbetet vetë zejtarëve.