Kontrolloni nëse ndodheni në to, MASH publikoi listat përfundimtare për pranim në konvikte studentore

 Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e konkursit për pranimin e studentëve në konviktet shtetërore dhe private studentore për vitin akademik 2026/2027. Rezultatet u referohen studentëve të vitit të dytë dhe viteve më të larta, ndërsa aplikimi për studentët e vitit të parë zgjat deri më 20 shtator, transmeton Portalb.mk.

Studentët mund të kontrollojnë menjëherë nëse janë pranuar në listat përfundimtare të publikuara në faqen zyrtare të MASh-it.

Lista të veçanta janë publikuar për konviktet “Goce Dellçev” dhe “Stiv Naumov” në Shkup, “Koço Racin” në Manastir, “Nikolla Karev” në Ohër, “Braqa Milladinovci” në Shtip dhe konviktin studentor në Tetovë, si dhe për konviktet private “Logos” dhe “Hiljadnikov” në Shtip.

Në faqe janë në dispozicion edhe listat e studentëve të cilët, për shkak të kapaciteteve të plotësuara në konviktin e zgjedhur, kanë fituar vend në konviktin që e kanë shënuar si alternativë për akomodim. Një pjesë e aplikantëve për “Goce Dellçev”, për shembull, janë sistemuar në “Stiv Naumov”.

Studentët të cilët nuk janë të kënaqur me rezultatin mund të paraqesin ankesë në konviktin studentor ku kanë aplikuar. Afati për ankesa fillon sot, më 15 shtator, dhe zgjat deri më 25 shtator.

Konkursi parashikon gjithsej 3.498 vende në konviktet studentore në mbarë vendin. Prej tyre, 2.799 janë të dedikuara për studentët e vitit të dytë dhe viteve më të larta, ndërsa 699 vende për studentët që regjistrohen për herë të parë në fakultet.

Studentët e vitit të parë nuk përfshihen në listat e publikuara tani. Ata mund të aplikojnë deri më 20 shtator, ndërsa rezultatet përfundimtare për ta duhet të publikohen më së voni deri më 30 shtator.