LSDM për qendrat e të dhënave: Kush është investitori, sa energji elektrike dhe ujë do të shpenzojnë dhe sa është komisioni për Mickoskin?
LSDM-ja kërkoi nga Qeveria që të publikojë detajet për projektin e paralajmëruar për ndërtimin e qendrave të të dhënave, pasi kryeministri Hristijan Mickoski përsëri deklaroi se procesi është “i pakthyeshëm”. Partia opozitare pyet se kush është investitori, sa energji elektrike do të nevojitet për funksionimin e qendrave, nga do të sigurohet energjia elektrike dhe çfarë sasish uji do të përdoren për ftohjen e tyre, transmeton Portalb.mk.
“Drejtuesi i VMRO-OKG-së përsëri tha se procesi me qendrat e të dhënave është ‘i pakthyeshëm’. Për të është i pakthyeshëm sepse tashmë e ka dakorduar komisionin e tij. Fshihet vetëm ajo që duhet të fshihet: kush investon, sa energji elektrike do të konsumojë, sa ujë do të përdorë, ku do të derdhet uji i ngrohur dhe sa është komisioni për marrëveshjen”, theksohet në reagimin e partisë opozitare.
Nga LSDM-ja thonë se duhet të sqarohet më tej se ku do të derdhet uji i ngrohur nga sistemet e ftohjes dhe cili do të jetë ndikimi mbi burimet ujore dhe mjedisin.
“Fshihet vetëm ajo që duhet të fshihet: kush investon, sa energji elektrike do të konsumojë, sa ujë do të përdorë, ku do të derdhet uji i ngrohur”, thuhet nga LSDM-ja.
Nga partia pretendojnë se një kompani tashmë ka njoftuar se ka siguruar 100 megavat energji elektrike dhe qasje të drejtpërdrejtë në lumin Vardar, si dhe se për projektin ka marrë dritën jeshile nga Qeveria. LSDM-ja kërkon që institucionet t’i konfirmojnë ose t’i mohojnë këto informacione dhe të publikojnë marrëveshjet dhe kushtet në bazë të të cilave do të realizohej projekti.
Në njoftim, opozita paralajmëron edhe për pasojat e mundshme energjetike të qendrave të mëdha të të dhënave, duke iu referuar shembujve nga vende të tjera ku, për shkak të konsumit të lartë të energjisë elektrike dhe ujit, janë vendosur kufizime për ndërtimin e kapaciteteve të reja.
LSDM-ja thekson se në kushtet kur Maqedonia përballet me nevojën për import të energjisë elektrike dhe me probleme që lidhen me furnizimin me ujë dhe cilësinë e ujit, publiku duhet të dijë se çfarë burimesh do të përdorin qendrat e paralajmëruara.
Partia njëkohësisht ngre edhe çështjen e ndikimit të objekteve të tilla në mjedisin lokal, përfshirë zhurmën nga sistemet e ftohjes dhe agregatët që funksionojnë pandërprerë.
“LSDM-ja nuk është kundër digjitalizimit. Kjo nuk është digjitalizim. Ky është harduer për digjitalizimin e dikujt tjetër”, theksojnë nga partia opozitare.
Nga LSDM-ja kërkojnë që Qeveria të publikojë emrin e investitorit, dokumentacionin e projektit, konsumin e parashikuar të energjisë elektrike dhe ujit, si dhe marrëveshjet dhe kushtet për lidhjen e qendrave të të dhënave me infrastrukturën.
Ndryshe, LSDM dje kërkoi që Prokuroria të hapë hetim për lotarinë e Mickoskit dhe shpenzimin e 5,5 milionë eurove për festimin e pavarësisë.
- LEXO: LSDM: Prokuroria duhet të hapë hetim për lotarinë e Mickoskit dhe shpenzimin e 5,5 milionë eurove
- LEXO: LSDM kërkoi hetim për 5,5 milionë eurot e festimit të 35 vjetorit të pavarësisë, Mickoski i quajti “estradë” kritikat e opozitës
- LEXO: Pas shumë pikëpyetjeve për shpenzimet e pavarësisë, u ‘ngjall’ Mickoski: David Guetta u kushtoi 0 denarë qytetarëve