Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë plot baltë dhe gropa me muaj të tërë, vonon rikonstruimi

Assesi të asfaltohet dhe përfundojnë punimet e rikonstruimit në rrugën “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë të cilat filluan në verën e vitit 2023. Me muaj të tërë qytetarët lëvizin në rrugë me gropa dhe plot baltë, sidomos ditëve të fundit pas reshjeve të borës. Qytetarëve kjo situatë u ka ardhur në maje të hundës, kërkojnë që autoritetet të përfundojnë rrugën sa më parë. Ndërkaq, Komuna e Tetovës hesht në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.

Lëvizja në këtë rrugë është e vështirë pasi aty janë hapur punimet të cilat nuk po përfundojnë me muaj.

Rruga "Vëllezërit Milladinov" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Qytetarët kërkojnë nga Komuna e Tetovës që të intensifikojnë punimet dhe tu mundësohet qarkullimi në rrugë normale, pa gropa dhe pa baltë.

“Kanë filluar moti kohë këtu po nuk po i mbarojnë, pse nuk e di, po tash ndoshta pse edhe koha e ftohtë ka edhe lagështi, borë kjo ndoshta i pengon. Po sa më shpejtë ta rregullojnë aq më mirë për ne sepse më na ka ardhur te hunda kjo gjendje çdo ditë”, tha një qytetar.

“Apeli im është që ta përfundojnë sa më shpejt pasi vërtetë u bë e tepërt prej verës në këtë derexhe jemi, nuk na ka hije aspak po edhe problem tepër në këtë gjendje”, tha një qytetar tjetër.

“Nuk jetoj përgjatë kësaj rruge por kaloj shpesh te pjesa ku lidhet me rrugën Bllagoja Toska që del pastaj te rrethi te Mema, kur arrij aty duhet të ndaloj shpejtësinë se ka disa gropa që po nuk u ndale e dëmton veturën”, tha një qytetar.

Rruga "Vëllezërit Milladinov" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pyetëm në Komunën e Tetovës se kur do të përfundojnë punimet, por nga shërbimet e informimit publik nuk na u përgjigjën as në email, as në mesazh dhe as në thirrje telefonike.

Pavarësisht se punimet në këtë rrugë për kanalizimin atmosferik ishin planifikuar deri në fund të shtatorit 2023 dhe më pas të vijohej me asfaltim, megjithatë pati ndryshime.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fund të nëntorit 2023 theksoi se banorët kanë kërkuar që të ndërrohet edhe rrjeti i ujësjellësit, që ngadalësoi punimet.

Sipas asaj që tha Kasami aso kohe, qytetarët do duhej të presin të paktën edhe katër muaj deri sa rruga të lëshohet në përdorim

Punimet në rrugën “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë e cila lidh tre bulevardet “Ilinden”, “Bllagoja Toskë” dhe “V.S. Bato” filluan gjatë verës 2023.

Ndryshe, në fund të vitit 2021 në rrugën “Vëllezërit Milladinov” u mbuluan gropat me asfalt si zgjidhje afatshkurtër aso kohe. Ndërkaq asfaltimi i rrugës pritet të bëhet së shpejti, për të cilin po vijojnë punimet.