Punëtorët e “Higjienës Komunale” morën mbështetje edhe nga LSM-ja

Protestës së punonjësve të Ndërmarrjes Publike “Higjienës Komunale” – Shkup, tash i është bashkangjitur edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, pasi punonjësit protestuan dy ditë në lidhje me parregullsitë që po ndodhin në këtë ndërmarrje, transmeton Portalb.mk.

“Mbështetje për të punësuarit dhe dënim për udhëheqësin e Higjienës Komunale. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë fuqishëm i dënon kërcënimet drejt të punësuarve në Higjienën Komunale – Shkup pas publikimit të videos në mediume, ku dëgjohet si Drejtoresha e Higjienës Komunale drejton kërcënime dhe fyerje ndaj të punësuarve”, thuhet në deklaratën e LSM-së.

Sindikalistët premtojnë që do të shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e punëtorëve që janë larguar pa arsye, duke theksuar edhe përjashtimin e kryetarit të sindikatës në këtë ndërmarrje.

“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë plotësisht i mbështet të punësuarit në Higjienën Komunale në Shkup, të cilët tashmë disa ditë kanë shpreh revoltën ndaj udhëheqësjes”, deklarojnë nga LSM-ja.

Ndryshe, problemet e shfaqura së fundmi në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup, kanë krijuar probleme në mjediset e këtij qyteti, për çka ka reaguar edhe Komuna e Aerodromit dhe ajo e Qendrës.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.