Pse shoqëria ka nevojë për agjërimin më shumë se për traditën?

Sikur agjërimi të ishte thjesht një traditë, atëherë sipas edukatës shoqërore, do të duhej ta respektonim edhe më tepër sesa e respektojmë sot, në shenjë nderimi ndaj popullit dhe dokeve të tij.

Por, në ç’mënyrë ta respektojmë atë? Agjërimi kërkon një edukatë shpirtërore; ai e mëson popullin të ngrihet mbi epshet, të depërtojë në horizontet e mirësisë dhe të largohet nga materia, që shoqëria të fitojë lumturinë e saj të vërtetë. Kështu, agjërimi shërben si një mjet për edukimin e vullnetit të palëkundur. Ai nuk dominon vetëm mbi kënaqësitë e lejuara, por edhe mbi ato të ndaluarat. Përmes tij, njeriu fiton shprehinë të largohet vullnetarisht nga ushqimi dhe pija, që më vonë të mos ndiejë vështirësi kur përballet me sprova apo obligime.

Një socializëm praktik dhe njerëzor Agjërimi është një obligim praktik i Islamit të mëshirshëm për të gjithë besimtarët. Të gjithë hanë e pinë në të njëjtën kohë; nuk dallohet barku prej barkut e as goja prej gojës. Urinë e ndien edhe ai që s’e ka ndier kurrë më parë, ndërsa vuajtjet e varfërisë dhe skamjes i përjeton edhe ai që ka jetuar gjithmonë në bollëk.

Pasha jetën time! A ka në botë socializëm praktik që i trajton njerëzit në mënyrë më të barabartë, si në skamje ashtu edhe në pasuri, sesa ky shoqërim që ndodh gjatë muajit të Ramazanit?

Lartësimi dhe liria shpirtërore O agjërues besimtar! Ramazani është largim nga epshi, është lartësim dhe liri shpirtërore. Sa bukur do të ishte sikur i tërë viti të ishte Ramazan, nëse ky do të mbetet koncepti ynë për të!

Ramazani është muaji i burrërisë së proklamuar që dominon mbi instinktet. Sa mirë do të ishte sikur ky muaj ta bashkonte gjithë popullin, që të mos mbetet askush me burrëri të dështuar apo me dëshirë të parealizuar! Nga vuajtjet lind mëshira, kurse nga mëshira lind drejtësia. Sa e bukur do të ishte jeta sikur të gjithë të kishin ndjenja të njëjta!

Sprovë për të rriturit, shkollë për të vegjlit Nëse Ramazani është edukatë e vullnetit dhe socializëm praktik, atëherë a nuk e shpallin publikisht ata që nuk agjërojnë zhytjen e tyre në epshe dhe largimin nga burrëria? A nuk kemi të drejtë që joagjëruesit e rritur t’i quajmë “fëmijë të rritur”, ndërsa fëmijët që agjërojnë t’i quajmë “të rritur të vegjël”?

O fëmijët e mi të vegjël dhe ju vëllezër të rinj që përjetoni urinë dhe etjen në vapën e verës! Ju agjëroni së bashku me prindërit tuaj dhe vërtetoni burrërinë tuaj. Ju lumtë! Sepse atdheu do të fitojë me ju, e jo me ata që dështuan pa hyrë ende në mejdanin e luftës.

Autor: Dr. Mustafa Sibai

Nga vepra: Filozofia e Agjërimit