Vdekja tragjike e nënës dhe vajzës në Shkup, paraburgim 48 orë për të dyshuarin kryesor

Në lidhje me vdekjen e nënës dhe vajzës së saj në Karposh, Prokuroria Themelore Publike ka propozuar 48 orë paraburgim për të dyshuarin kryesor. Gjykata e ka pranuar propozimin, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër prej 48 orësh kundër një personi për të cilin ekzistojnë dyshime”, raportoi Prokuroria, duke theksuar se kjo masë është marrë me qëllim sigurimin e provave.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale – lëndime trupore, rrezikim i sigurisë dhe shtytje në vetëvrasje  dhe ndihmë në vetëvrasje, vepra të dënueshme në bazë të nenit 130, 144 dhe 128 nga Kodi Penal.

Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend.

Para rënies nga ballkoni të Ivanës dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare Katja dje, ka pasur një ngjarje paraprake me bashkëshortin e saj, përkatësisht një grindje me bashkëshortët, zbuloi në konferencën e sotme (3 mars) për shtyp ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili shprehu ngushëllime dhe siç tha “ndaj dhimbjen dhe revoltën që ndihet në publik”.

Kundër bashkëshortit të saj Stojançe Jovanovski do të ngrihen padi penale me procedurë të shpejtë, dhe deri më tani janë regjistruar dhjetë padi penale kundër tij në fushën e krimit të dhunshëm, krimeve kundër pronës dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.