Instituti i Shëndetit Publik në RMV rekomandoi kontrollin e cilësisë së ajrit përpara se të dilni jashtë

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) rekomandon që para se të dilni jashtë, kontrolloni cilësinë e ajrit në faqen e internetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

“Para se të dilni jashtë, sigurohuni që të kontrolloni indeksin e cilësisë së ajrit. Qëndroni në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni. Shmangni qëndrimin dhe kryerjen e aktiviteteve në natyrë (sporte, rekreacion). Kjo vlen jo vetëm për grupet e ndjeshme, por edhe për fëmijët dhe të rinjtë që kalojnë më shumë kohë jashtë, dhe veçanërisht për njerëzit që janë të angazhuar profesionalisht dhe punojnë jashtë. Vishni maskë mbrojtëse me efektivitet të provuar jashtë”, thuhet në rekomandimet e zyrtarëve të Institutit.

Nga atje rekomandojnë gjithashtu të qëndroni në shtëpi ose të zvogëloni sforcimin fizik, veçanërisht jashtë dhe nëse qytetarët përjetojnë simptoma të tilla si kollë ose dhimbje fyti.

“Mos i hapni dritaret në shtëpinë tuaj kur ajri është i ndotur. Përdorni pastrues ajri në shtëpi ose në vendin e punës (për persona veçanërisht të ndjeshëm me astmë, sëmundje kronike – sëmundje të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut dhe fëmijë të vegjël dhe gra shtatzëna). Të rriturit dhe fëmijët me probleme me mushkëritë, të rriturit me probleme me zemrën dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin fizik të sforcuar. Gratë shtatzëna duhet të qëndrojnë në shtëpi. Personat me astmë mund të kenë nevojë ta përdorin inhalatorin më shpesh. Nëse duhet të dilni jashtë, mbani maska ​​me efektivitet të provuar”, thuhet në rekomandime.

Ndryshe, sot është tejkaluar pragu i alarmit për grimcat PM 10 në pikat matëse në Shkup. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit doli me rekomandime.

Vlerat e grimcave PM janë shumë mbi kufijtë maksimalë të lejuar pothuajse çdo ditë në shumë qytete të vendit, një situatë që përsëritet çdo dimër, veçanërisht pasi pothuajse nuk ka masa për ajër më të pastër.