Këshilli i Komunës së Strugës jofunksional, Qyra: Koalicion i fshehtë pas të cilit qëndron Merko e pengon zgjedhjen e kryetarit
Tashmë dy muaj po zgjat bllokada në Këshillin e Komunës së Strugës sepse nuk mund të zgjedhë kryetar, e për arsye Këshilli është jofunksional dhe nuk ka kush t’i udhëheqë seancat dhe ta koordinojë marrjen e vendimeve. Kryetari i Komunës Mendi Qyra paralajmëroi për zgjedhje të reja për këshilltarë nëse opozita vazhdon me bllokadat, transmeton Portalb.mk nga SDK.
“Nëse opozita vazhdon me bllokime dhe metoda që e paralizojnë Këshillin, e pasi të plotësohen kushtet ligjore, do të organizohen zgjedhje të parakohshme për Këshillin e Komunës të Strugës, që qytetarët t’ua japin përgjigjen e merituar politikave të tilla. Ka përfunduar koha e bllokadave dhe politikave nga të cilat përfitojnë vetëm individë të caktuar. Komuna e Strugës do të vazhdojë të punojë në interes të qytetarëve”, deklaroi Qyra.
Ai akuzoi se këshilltarët nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në krye me BDI-në, LSDM-ja dhe ishkryetari Ramiz Merko kanë formuar, siç tha ai, një koalicion të fshehtë me qëllim që të paralizohet puna e komunës dhe realizimi i projekteve.
“Qëllimi është që të bllokohet zhvillimi i komunës dhe mirëqenia e qytetarëve. Me bojkotimin e Këshillit AKI, LSDM dhe Merko treguan se nuk u interesojnë qytetarët dhe projektet, por vetëm interesat personale. Këshilltarët e koalicionit antiqytetar nuk morën pjesë në seancë me qëllim që të mos miratohen programet buxhetore, të cilat përfshijnë projekte të rëndësishme për vitin 2026 në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh. Opozita vazhdon me agoninë”, tha Qyra.
Sipas këshilltarit të VMRO–DPMNE-së, Kosta Hiohi, në këtë gjendje nuk mund të merret as vendimi për miratimin e buxhetit, nga i cili varet drejtpërdrejt funksionimi i komunës.
“Gjendja aktuale status-quo është si rezultat i lojërave politike të këshilltarëve të caktuar, të cilët me urdhër të qendrave të tyre politike gjejnë mënyra për ta bllokuar punën e Këshillit përmes mossigurimit të kuorumit në seanca. Në këtë mënyrë jo vetëm që e vënë në pikëpyetje marrjen e vendimeve kyçe, siç është për shembull miratimi i buxhetit të Komunës, por e komplikojnë edhe punën e saj. Kjo gjendje mund të çojë në bllokimin e plotë të Këshillit, që është një mosrespektim i paturp i qytetarëve të Strugës. Sigurisht, në një situatë të tillë, dalja nga kriza do të ishte e mundur vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme, nëse një pjesë e këshilltarëve vazhdojnë të sillen në mënyrë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me atë që u premtuan qytetarëve në fushatë. Ne që mbetemi në karriget e këshilltarëve kemi treguar dhe dëshmuar pjekuri të madhe dhe bashkëpunim pa dallim të proveniencës politike. Shpresojmë që të mbisundojë arsyeja dhe në mundësinë për bashkëpunim të ndërsjellë edhe me grupet e tjera të këshilltarëve dhe individët, si dhe më në fund edhe fillimin e punës së Këshillit”, thotë Hiohi.
Përbërja e re e Këshillit të Komunës së Strugës numëron 23 këshilltarë, nga të cilët tetë janë nga koalicioni AKI i udhëhequr nga BDI-ja, gjashtë nga VMRO-DPMNE-ja, katër nga “VLEN”-i, tre nga listat e pavarura dhe nga një këshilltar nga LSDM dhe E Majta.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Këshilli i Komunës mund të shpërbëhet me iniciativë të vet nëse për këtë deklarohet shumica e anëtarëve të tij, nëse përsëri sjell një dispozitë që paraprakisht është shfuqizuar ose anuluar nga Gjykata Kushtetuese, nëse merr vendime me të cilat rrezikohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës, nëse nuk mblidhet më shumë se gjashtë muaj ose nëse nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.