RMV, jo çdo rriqër është infektuese, sëmundja ethet hemorragjike Krime-Kongo është serioze

Jo çdo rriqër është infektuese mirëpo sëmundja ethet hemorragjike Krime-Kongo është një sëmundje serioze, paralajmërojnë ekspertët. Tre raste janë evidentuar tanimë në Maqedoninë e Veriut. Në rastin e parë, humbi jetën pacientja 27 vjeçare  pas infeksionit nga kafshimi i rriqrës. Në rastin e dytë bëhet fjalë për infermiere, e cila po mjekohet në Klinikën Infektive  dhe tani është në gjendje stabile. Rasti i tretë në vend është 42 vjeçari nga Velesi dhe është e mundur të jetë sëmurë duke peshkuar, shkruan MIA, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave nga Instituti për Shëndet Publik, epidemia e parë nga kjo sëmundje në vendin tonë është evidentuar në vitin 1971. Në të njëjtën kohë, në fshatin e Tetovës, Çiflik në të njëjtën familje janë sëmurë 13 persona, dhe ka pasur dy vdekje. Pas kësaj epidemie, laboratorikisht është konfirmuar edhe një rast tjetër në vitin 2010. Duke marrë parasysh se ekzistojnë kushte për vatra natyrore të infeksionit dhe në zona tjera të vendit, kjo sëmundje paraqet një rrezik potencial. Nga vendet fqinje, sëmundja është endemike në Kosovë, ndërsa raste sporadike janë regjistruar edhe në disa vende të tjera evropiane.

Transmetimi përmes kontaktit

Virusi transmetohet te njerëzit ose nëpërmjet pickimit të rriqrës, ose nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar ose indet e kafshëve, gjatë dhe menjëherë pas therjes së kafshëve. Shumica e rasteve përfshijnë njerëz që janë të përfshirë në punë me bagëti, si punëtorët e bujqësisë, punëtorët e thertoreve dhe veterinerët.

Transmetimi i sëmundjes nga njeriu në njeri mund të ndodhë si rezultat i kontaktit të afërt me gjakun, sekrecionet, organet ose lëngjet e tjera trupore të individëve të infektuar. Kohëzgjatja e periudhës nga infektimi deri në shfaqjen e simptomave varet nga mënyra e marrjes së virusit. Pas infektimit nga pickimi i rriqrës, periudha e shfaqjes së simptomave është zakonisht një deri në tre ditë, me një maksimum prej nëntë ditësh. Periudha pas kontaktit me gjakun ose indet e infektuara është zakonisht pesë deri në gjashtë ditë, me një maksimum prej 13 ditësh të dokumentuara.

Simptomat

Shfaqja e sëmundjes është e papritur, me dhimbje koke, temperaturë të lartë, dhimbje shpine, dhimbje kyçesh, dhimbje barku dhe të vjella.

Sytë e skuqur, fytyra e skuqur, skuqja e fytit dhe njolla të kuqe në gojë janë gjithashtu prezente. Mund të shfaqet verdhëza dhe në raste më të rënda. Ndërsa sëmundja përparon, në trupin e të sëmurit shfaqen zona të mëdha të mavijosura, si dhe gjakderdhje nga hunda. Rimëkëmbja është e ngadaltë, theksohet në përshkrimin e sëmundjes.

Masat parandaluese

Për të zvogëluar rrezikun e ngjitjes së rriqrave te një person, nëse qëndroni në një vend ku ka rriqra, vishni rroba që nuk lënë pjesë të ekspozuara të trupit, mbuloni krahët, këmbët dhe pjesët e tjera të ekspozuara, qafën, kokën; vishni veshje me ngjyra të çelura për të zbuluar lehtë rriqrat në veshje etj. Përdorni spërkatës kundër rriqrave.

Kushtojini vëmendje të veçantë pjesëve me qime të trupit ku rriqrat kanë më shumë gjasa të ngjiten, duke përfshirë kokën, qafën dhe pas veshëve, veçanërisht te fëmijët. Rriqrat gjithashtu shpesh ngecin në palosjet e trupit si në sqetull, nën gji te gratë, palosjet e stomakut e kështu me rradhë, përpiquni të kontrolloni kafshët për praninë e rriqrave dhe, nëse ka, t’i eliminoni ato; dhe shmangni rajonet ku rriqrat janë të pranishëm në pjesët e vitit kur ato janë më aktive.

Kur bëhet fjalë për zvogëlimin e rrezikut të transmetimit nga kafsha te njeriu, rekomandohen doreza dhe veshje të tjera mbrojtëse ndërsa njerëzit trajtojnë kafshët ose indet e tyre, veçanërisht gjatë therjes, karantinimit të kafshëve përpara se të hyjnë në thertore ose në mënyrë të rregullt të trajtohen me pesticideve, dy javë para therjes.

Që të reduktohet rreziku i transmetimit nga njeriu në njeri, shmangni kontaktin e ngushtë fizik me personat e sëmurë, vishni doreza dhe pajisje mbrojtëse kur kujdeseni për personat e sëmurë, lani duart rregullisht me sapun dhe ujë pas kujdesit ose vizitës së njerëzve të sëmurë, thuhet në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik.

Në vend ka mbërritur edhe ilaçi “Ribavirin”, i cili siç u sqarua, jepet vetëm në një situatë ku nuk ka zgjidhje tjetër, te pacientët me pasqyrë klinike tejet të rëndë.

Autoritetet thonë se nuk ka vend për panik, por për kujdes.