Një 10 vjeçar u godit me veturë në “Rrugën e Plastikave”, ndërroi jetë në Urgjencë, shoferi iku nga vendngjarja

Një fëmijë dhjetëvjeçar është përplasur pasdite në bulevardin “Nikolla Karev”, i njohur si rruga e “Plastikave” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i aksidentit me mjetin e tij tip “Mercedes”, ndërsa kalimtarët e rastit kanë tentuar të ndihmojnë viktimën.

Përpjekja e Ndihmës së Shpejtë për të rikthyer vetëdijen e djalit ka rezultuar e pasuksesshme, ndaj pasi është transportuar në Qendrën e Urgjencës, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Disa orë pas aksidentit, Policia njoftoi se ka gjetur shoferin njëzet e një vjeçar i cili është larguar nga vendi i aksidentit dhe tashmë dyshohet për veprën penale të kundërvajtjeve të rënda në komunikacion me pasoja fatale.

Jozyrtarisht bëhet fjalë për një 10-vjeçar, i cili ka tentuar të kalojë bulevardin pranë kryqëzimit pranë Ambasadës Amerikane dhe Mercedesi ka qenë duke lëvizur nga drejtimi i Bit Pazarit me shpejtësi të madhe.