Prokuroria Themelore Publike nga Shkupi ka iniciuar procedurë kundër personit i cili dyshohet se ka kryer vepër penale – dhunë nga neni 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
“I dyshuari 53 vjeçar më 21 gusht në Çarshinë e Vjetër të Shkupit fillimisht ka kërcënuar dhe ofenduar, e më pas ka sulmuar fizikisht ekipin gazetaresk të televizionit Alsat-M. Ai ka goditur kameramanin me grushte në kokë dhe në trup, duke shkaktuar ankth dhe frikë te dy gazetarët. Për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, me urdhër të prokurorit publik janë siguruar pamjet video nga objektet përreth”, tha Prokuroria.
Prokurori publik do t’i dorëzojë gjyqtarit propozim për konfiskimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit të të dyshuarit, si dhe ndalimin e kontakteve me dëshmitarët dhe të dëmtuarin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke u paraqitur në televizionin Kanal 5, theksoi se ky rast tashmë është zbardhur, sulmuesi është gjetur dhe do të parashtrohet kallëzim penal për dhunë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike.
Dje në Çarshinë e Shkupit, gjatë orarit të punës u sulmua ekipi i televizionit Alsat, dy gazetaret – Era Gjakova dhe Sarah Hoxha si dhe kameramani që ishte me to.
Shoqatat e gazetarëve në RMV dënuan sulmin ndaj ekipit të televizionit dhe kërkuan që Ministria e Brendshme të reagojë menjëherë.
I dyshuari u arrestua nga MPB-ja pak orë pas sulmit.