Prokuroria filloi hetimet për dy bashkëpunëtorë që morën pjesë në vrasjen në Shkup

Dy qytetarë janë përfshirë në hetim si bashkëpunëtorë në vrasjen e kryer ditë më parë në Batincë të Shkupit. I dyshuari i parë ka kryer vrasjen, ndërsa i dyti ka drejtuar veturën ku ka qenë edhe vrasësi, transmeton Portalb.mk.

“Sot filluan hetimet kundër t gjithë peronave për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë kryer veprën penale – bashkëpunëtor në vrasje, në bazë të nenit 123, paragrafi 2, pika 3 në lidhje me nenin 22 nga Kodi Penal”, raportoi Prokuroria Themelore Publike.

Dy të dyshuarit me paramendim më 11 korrik e kanë vrarë Agim Muaremin, duke e rrezikuar edhe jetën e vajzës së viktimës. Dy të dyshuarit, së bashku me dy persona tjerë të panjohur, me veturën “Open Astra” e kanë bllokuar veturën e të ndjerit “KIA Sorento”.

“I dyshuari i parë me pistoletë ka gjuajtur pesë plumba në drejtim të të ndjerit dhe vajzës së tij, duke i shkaktuar të ndjerit dy plagë në gjoks dhe duke kërcënuar se do ta vrasë gjithë familjen e tyre”, sqaroi Prokuroria.

Të dyshuarit ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa viktima u dërgua në spital, ku ndërroi jetë nga plagët.

Prokuroria sqaroi që shoferi tash gjendet në paraburgim, ndërsa i dyshuari i parë – vrasësi është në arrati.

“Sot (17 korrik) deri te Prokuroria Themelore Publike Shkup është dorëzuar kallëzim penal me procedurë të shpejtë kundër 25 vjeçarit XH.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasje” në bazë të nenit 123 nga Kodi Penal dhe ndaj 35 vjeçarit B.P. për kryerjen e veprës penale “Vrasje” në bazë të nenit 22 nga Kodi Penal”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Policia sqaroi që 35 vjeçari është arrestuar dhe ndaj tij gjykatësi ka caktuar 30 ditë paraburgim, ndërsa 25 vjeçari akoma është i pakapshëm për autoritetet policore.

Ndryshe, në Batincë të Shkupit më 11 korrik ndodhi një vrasje në orët e paradites. Policia e Maqedonisë së Veriut raportoi se kjo vrasje ndodhi për shkak se vajza e viktimës nuk u martua me vrasësin.

Viktima 50 vjeç, Agim Muharemi, dyshohet se u vra nga Xh.M. rreth orës 10:15 në hyrje të fshatit Batincë, pasi vetura e tij u bllokua nga vetura e Xh.M.