KURRË MJAFTUESHËM

Historia kujton mbretërit dhe pushtuesit, por rrallë ndalet te tragjeditë e heshtura të grave, jetët e të cilave janë diktuar, relativizuar dhe hedhur tej nga ambiciet e burrave. Një nga shembujt më të qartë është Katerina e Aragonit, një grua e lindur për madhështi, por e ndëshkuar thjesht pse ishte grua në një botë të udhëhequr nga burrat.

Katerina nuk ishte një mbretëreshë e zakonshme. Ajo ishte vajza e Mbretit Ferdinand II të Aragonit dhe Mbretëreshës Isabella I të Kastiljes, monarkët që bashkuan Spanjën dhe financuan ekspeditën e Kolombit drejt Botës së Re. Që në fëmijëri, Katerina u përgatit për një jetë pushteti dhe intelekti. Ajo fliste rrjedhshëm latinisht, debatonte mbi teologjinë dhe njihej për mençurinë dhe devotshmërinë e saj. Në një botë ku shumica e grave nuk dinin të lexonin, ajo shkëlqente si simbol i dijes dhe kulturës.

Por në hierarkinë e pamëshirshme të Evropës mesjetare, asgjë nga këto nuk kishte rëndësi.

Vlera e saj, sipas logjikës së ftohtë të oborreve mbretërore, përkufizohej vetëm nga një rol: të lindte djem. Katerina u martua me Henrin e VIII të Anglisë, jo vetëm si një aleancë politike, por si një urë e gjallë mes dy dinastive të fuqishme. Ajo përmbushi çdo detyrë të një mbretëreshe, jo vetëm detyrat ceremoniale, por edhe ato shtetërore dhe ushtarake. Kur Henri shkoi në luftë në Francë, Katerina shërbeu si regjente e Anglisë. Gjatë mungesës së tij, Skocia sulmoi Anglinë në atë që njihet si Beteja e Flodenit (1513). Katerina organizoi mbrojtjen, menaxhoi trupat dhe furnizimet. Anglezët fituan betejën, dhe Mbreti Xhejms IV i Skocisë u vra. Në një gjest që ishte njëkohësisht politik dhe personal, Katerina i dërgoi Henrit këmishën e përgjakur të mbretit të vdekur skocez, si shenjë besnikërie nga një grua ndaj burrit të saj që gjindej larg, një mbretëreshë që kishte mbrojtur fronin e tij.

Megjithatë, pavarësisht gjithë shërbimit të saj, ndaj Anglisë, ndaj Henrit, ndaj martesës, Katerina përfundoi e flakur tutje sepse nuk arriti të lindte një trashëgimtar mashkull. Pas shumë shtatzënive të dështuara dhe lindjes së fëmijëve të vdekur, vetëm një fëmijë mbijetoi: një vajzë, Mari Tudor. Në logjikën e pamëshirshme të politikës dinastike, një vajzë nuk mjaftonte. Pas gjithë asaj besnikërie, përkushtimi dhe devotshmërie, Katerina megjithatë nuk kishte qenë mjaftueshëm e denjtë për të qenë mbretëreshë.

Henri kërkoi anulimin e martesës, duke e lënë Katerinën pas më shumë se dy dekadash bashkëshortësi. Asaj iu hoq titulli, iu ul statusi dhe u detyrua të jetonte e izoluar, e ndarë nga vajza dhe nga oborri. Henri u martua me Ana Bolejnin të cilën e ekzekutoi dy vjet më vonë, sërish për shkakun se nuk arriti ti sigurojë një trashëgimtar mashkull. Ai u martua gjithësej gjashtë herë në përpjekje të dëshpëruara për të siguar trashëgimtar, e duke anashkaluar dy vajzat e tij që do të bëhjeshin dy mbretëreshat më të njohura të Anglisë, Mari Tudor dhe Elizabeta I. Ai thjesht nuk i shikonte ato si mjaftueshëm të denja për të qenë në krye të shtetit, e megjithatë, të dy vajzat e tij u dëshmuan si monarke shumë më të afta se vetë i ati i magjepsur pas trashëgimtarit mashkull.

Kur Katerina vdiq në vitin 1536, rrethanat e vdekjes së saj u bënë simbol i tragjedisë së jetës së saj. Ata që bënë balsamosjen e gjetën trupin e saj të paprekur, përveç zemrës, e cila ishte bërë e zezë. Historianët e sotëm besojnë se ajo vuante nga një formë e rrallë e kancerit të zemrës, por në kujtesën kolektive ky detaj i çuditshëm mori një kuptim poetik, sikur pesha e besnikërisë, dhimbjes dhe tradhtisë i kishte nxirë zemrën, pesha e të mos qenit kurrë mjaftueshëm e zonja për diçka.

Është tundim i madh ta shohësh historinë e Katerinës si një tregim nga një e kaluar barbare. Por e vërteta është se mekanizmat që e shkatërruan atë vazhdojnë të ekzistojnë, vetëm se tani janë veshur me gjuhën e zbukuruar të modernitetit.

Sot, grave u thuhet se bota është e hapur për to, se mund të bëhen gjithçka: shkencëtare, lidere, drejtuese kompanish, artiste. Por në çdo hap, shoqëria ende vë në dyshim të drejtën e tyre për ambicie dhe pavarësi. Hijet e oborreve mesjetare janë ende të pranishme gjithandej.

Kur gratë avancohen, shpesh përballen me dyshime dhe vlerësohen sipas standardeve që nuk vlejnë për burrat. Nëse ia dalin, u kërkohet të kërkojnë falje për suksesin. Nëse dështojnë, u thuhet se është sepse tentuan të ishin diçka që nuk duhej të ishin. Ato asnjëherë nuk janë mjaftueshëm të zonja sipas këtyre standardeve, gjithmonë do të gjendet diçka që u mungon.

Katerina e Aragonit nuk ishte thjesht një mbretëreshë. Ajo ishte një shtetare, një regjente, një mbrojtëse e vendit të saj të birësuar, dhe një grua me besim dhe qëndresë të jashtëzakonshme. Jeta e saj na kujton se edhe gratë më të privilegjuara dhe të arsimuara janë të cenueshme nëse shoqëria i sheh ato si vegla të pushtetit mashkullor dhe jo si qenie të pavarura.

Kanë kaluar shekuj që nga vdekja e Katerinës, por zemra e saj e nxirë flet përtej kohëve. Na paralajmëron se barazia gjinore nuk është thjesht hapje dyersh, është shkatërrim i strukturave të padukshme që vendosin kush hyn nëpër ato dyer dhe kush jo.

Derisa gratë të jetojnë pa pasur nevojë të justifikojnë ekzistencën, zgjedhjet dhe ambiciet e tyre, bota mesjetare nuk është vërtet pas nesh. Ajo jeton ende, në forma të reja, me rrënjë të vjetra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.