Projektligji për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare në RMV e kaloi filtrin e komisionit parlamentar

Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport sot i dha mbështetje Projektligjit për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, të paraqitur nga deputetët e qeverisë dhe e kaloi atë për procedurë të mëtejshme parlamentare. Në këtë ligj u paraqitën 22 amendamente – 10 nga deputetët e qeverisë dhe 12 nga deputeti i Frontit Evropian Sali Murati. Komisioni pranoi 11 amendamente, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i këtij ligji, siç thuhet në shpjegimin e propozuesve, është të sigurojë interesin më të mirë të studentëve të regjistruar në Shkollën Teologjike – Shkup dhe Shkollën e Mesme Teologjike “Isa Beg” – Shkup, duke krijuar një mundësi ligjore për të dhënë maturën shtetërore në përputhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Konceptin për Maturën Shtetërore, Maturën Shkollore dhe Provimin Përfundimtar. Kjo, siç tregohet në ligj, mundëson vazhdimin e pandërprerë të arsimit të tyre në universitetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi i ka kërkuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të mos votojë për projektligjin për institucionet e arsimit të mesëm të komuniteteve fetare, sipas tyre ligji është jokushtetues dhe ligjërisht i papajtueshëm, duke cenuar karakterin sekular të shtetit.

Ndryshe, më 15 korrik në seancën qeveritare u miratua ligji pë shkollat e mesme, ligj që njeh diplomën e medresesë. Ata presin që ky propozim-ligj të miratohet edhe në Kuvendin e RMV-së.

Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.

Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevskavitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.