Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u miratua ligji që njeh diplomën e Medresesë “Isa Beu”, njoftoi BFI-ja dhe Qeveria
Bashkësia Fetare Islame dhe Medreseja “Isa Beu” sot kanë njoftuar se në seancën qeveritare është miratuar ligji që njeh diplomën e medresesë. Diçka e tillë është njoftuar edhe nga zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria miraton ligjin për Medresenë. Në mbledhjen e sotme qeveritare u miratua propozim-ligji i cili rregullon çështjen e shkollave të mesme fetare. Falë këtij ligji përfundimisht zgjidhet çështja e Medresesë së mesme “Isa Beu” të cilën ky problem e ka shoqëruar që nga themelimi i saj në vitin 1984”, sqaroi BFI-ja.
Ata presin që ky propozim-ligj të miratohet edhe në Kuvendin e RMV-së.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar Ligjin për shkollat e mesme fetare, me të cilin diploma e Medresesë “Isa Beu” do të njihet dhe pranohet nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit”, njoftuan nga Medreseja “Isa Beu”, duke falënderuar të gjithë që kontribuuan në këtë çështje.
Në lidhje me këtë vendim të Qeverisë së RMV-së, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Mexhiti, i cili në muajin qershor kishte premtuar zgjidhje ligjore për këtë problem.
“Qeveria miratoi sot projektligjin për Medresenë “Isa Beu” në Shkup, duke zgjidhur përfundimisht një çështje të rëndësishme që ka pritur zgjidhje prej vitesh. Ky vendim i hap rrugë funksionimit të rregullt dhe të ligjshëm të një institucioni të rëndësishëm arsimor, që vepron në përputhje me standardet shtetërore dhe kushtetuese të arsimit të mesëm”, deklaroi Mexhiti.
Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese më 30 prill hodhi poshtë Vendimin për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” – fshati Kondovë, Shkup, i cili u miratua nga Qeveria më 26 mars 2024. Gjykata vendosi se vendimi i Qeverisë ishte i paligjshëm dhe jokushtetues, sepse Qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar Bashkësisë Fetare Islame BFI të jetë themeluese e një shkolle të mesme-gjimnaz.
Ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevska, vitin e kaluar kishte deklaruar se maturantët e kësaj medrese nuk do të mund të regjistrohen në fakultetet tjera. Më 26 mars të vitit 2024, ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, kishte njoftuar që problemi me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresesë Isa Beu” ishte zgjidhur nga Qeveria. Medresantët paraprakisht kishin reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.