Fondi i Pensioneve të RMV-së prej nesër do të fillojë njoftimet me SMS për vendimet e pensioneve

Duke filluar nga nesër (29 korrik), Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut do t’u dërgojë mesazhe SMS të gjithë qytetarëve që kanë paraqitur kërkesë për pension, me informacion se kur dhe ku mund të tërheqin vendimin, transmeton Portalb.mk.

Ky shërbim i ri zvogëlon turmat në sportele dhe thjeshton procedurën për përdoruesit.

Për më tepër, brenda Fondit po funksionon një Qendër e re Thirrjesh, ku personat e siguruar mund të marrin informacion mbi statusin e kërkesave të paraqitura, si dhe mbi kushtet për pensionet e pleqërisë, familjare dhe invaliditetit, shërbimin e përfituar dhe të drejta të tjera.

Fondi tashmë ka prezantuar 13 shërbime elektronike përmes portalit uslugi.gov.mk, dhe po njofton gjithashtu shërbime të reja, të cilat janë në fazën e testimit, duke përfshirë aplikimet online për pensionet familjare dhe invaliditeti, si dhe kopjet e vendimeve.

Kujtojmë se me 79 vota “pro” dhe asnjë “kundër” ose “abstenim”, deputetët më 24 korrik miratuan ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, të cilat do të mundësojnë rritje lineare të pensioneve me 2.000 denarë.