Procedurat gjashtë-vjeçare administrative të komunës së Kërçovës pengojnë rregullimin e lumit “Sushica”

Rregullimi i lumit “Sushica” është një nga premtimet e kryetarit të komunës së Kërçovës, Fatmir Dehar-it në zgjedhjet lokale të vitit 2017, premtim i cili që atëherë ka ngecur në procedura administrative. Për këto gjashtë vite, vazhdimisht është premtuar se me këtë projekt do të ndërtohet edhe një korsi për biçikleta rreth lumit, por edhe një shëtitore për qytetarët. Nga komuna nuk tregojnë se kur do të realizohet premtimi, por informuan se projekti do të fillojë pasi të mënjanohen problemet administrative që i kanë me planet urbanistike, raporton Portalb.mk.

Rregullimi i lumit “Sushica” në Kërçovë, me vite premtohet se do të rregullohet, mirëpo deri tani autoritetet lokale nuk kanë bërë asgjë në terren. Shtrati i lumit është i mbuluar me bar, ndërkaq ka dhe mbeturina, të cilat i kanë hedhur nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Shtrati i lumit, i cili gjatë periudhës së dimrit ka sasi të vogël të ujit, ndërkaq gjatë  verës pothuajse thahet, është dhe vendstrehim për qentë endacak.

“Problemet procedurale ende nuk janë zgjedhur në lidhje me projektin, e pengojnë procedurat e gjata administrative në lidhje me planet urbanistike. Me rregullimin e lumit Sushica do të fillohet menjëherë pasi që të mënjanohen problemet administrative, gjegjësisht procedurat e gjata (vonesat) administrative, në lidhje me planet urbanistike”, thonë për Portalb.mk nga Komuna e Kërçovës.

Për problemet e njëjta, Dehari ka deklaruar edhe në vitin 2020, duke premtuar asokohe se projekti është në fazën finale dhe se në vitin 2021, komuna do të aplikojë për realizimin e këtij projekti.

“Duhet të kihet parasysh se gjatë realizimit të një projekti kemi pasur një problem procedural dhe fatkeqësisht në këtë rast na është dashur shumë kohë për të bërë projektin dhe tani jemi në fazën finale dhe shpresoj që të bëhet projekti bazë. gjatë këtij viti dhe të ardhshëm “Këtë vit do të kemi mundësi të aplikojmë për realizimin e atij projekti”, ka deklaruar për TV21 Fatmir Dehari.

Në vitin 2022, Dehari është pyetur përsëri se kur do të fillojë me realizimin e këtij projekti. Përgjigja e të cilit ka qenë thuajse e njëjtë.

Ai ka thënë se projektin e pengon plani urbanistik, por që pas realizimit të rikonstruktimit të qendrës së Kërçovës, do të fokusohet maksimalisht në këtë projekt. Meqenëse, qendra e Kërçovës është rregulluar në vitin 2022, përsëri përgjigja e komunës për rregullimin e lumit “Sushica” mbetet e njëjtë.

Përndryshe, ky është mandati i tretë i kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehar-it dhe përveç asfaltimit të rrugëve, disa nga premtimet e tij ishin se do të ketë ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerje, se do të krijojë vende pune të reja si masë për parandalimin e emigrimit, do të gjejë zgjidhje afatgjatë të deponisë me ndërtimin e transfer-stacioneve ku do të bëhet selektimi i mbeturinave, ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak. Të njëjtat, vazhdojnë të mbeten premtime të parealizuara.