20 kujdestarë do t’u ofrojnë shërbime deri në 4 orë në ditë, të moshuarve dhe personave me nevoja në Gostivar dhe Vrapçisht
Komuna e Gostivarit dhe Vrapçishtit, nëpërmjet Asociacionit të të Rinjve të Organizuar (OYA), nga java tjetër pritet të fillojnë me projektin “Homecare” (kujdesje në shtëpi), i cili do të ofrojë shërbime nga 1 deri në 4 orë në ditë për personat e moshuar dhe personat me nevoja të posaçme, shkruan Portalb.mk.
Projekti “Homecare” përfshin 20 kujdestarë të licencuar, të cilët do të vizitojnë të moshuarit dhe personat me nevoja të posaçme në Gostivar dhe Vrapçisht, do të kalojnë nga 1 deri në 4 orë në ditë me ta duke u ndihmuar në aspekte të ndryshme, nga kujdesi për vetë personin e deri te kryerja e shërbimeve për ta, si p.sh.. pagesa e faturave.
Asociacioni i Të Rinjve të Organizuar (Organized Youth Associacion) është dhënësi i shërbimit, i licencuar nga MPPS për implementimin e projektit në Komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit.
Qytetarët, për të aplikuar për këtë shërbim, duhet t’i dërgojnë dokumentat e nevojshme te Qendra për Punë Sociale, mirëpo nga OYA thanë se këtë procedurë e kanë marrë vetë përsipër, meqë punët administrative kanë qenë sfidë për shumë prej tyre dhe kjo i ka demotivuar të aplikojnë. Qendra për Punë Sociale vendos se cili prej tyre ka nevojë për shërbim, sa ditë në javë dhe sa orë në ditë ka nevojë të vizitohet.
“Po e shfrytëzoj rastin të them që nëse dikush njeh persona të moshës së tretë ose me nevoja, që kanë nevojë për këtë shërbim, të na shkruani në email [email protected], në faqen tonë në Facebook ose të na lajmëroheni në 072 525 919, meqë kjo kategori e qytetarëve është vështirë të informohet nëpërmjet internetit. Ne jemi munduar me lidhjet tona t’i gjejmë vetë”, thotë për Portalb.mk Art Spahiu, përfaqësuesi i OYA.
Spahiu shtoi se përzgjedhja e individëve nuk bëhet në bazë të kategorisë sociale.
“Është parimi i pari vjen, i pari shërbehet, nuk është në kategori sociale. Mund dikush është mirë financiarisht, po prapë i takon ky shërbim pa pagesë prej shtetit”, thotë ai.
Kujdestarët janë të licencuar prej Qendrës për Arsimimin e të Rriturve, secili prej tyre mund të marrë nën mbikëqyrje maksimum 80 të moshuar ose persona me nevoja.
“Kujdestarët, është mundësi e mirë, jo ekskluzivisht, po është mundësi e mirë edhe për kategoritë që janë rëndë të punësueshëm, për shkak se për t’u kyç në projekt, për t’u bë kujdestar nevojitet vetëm shkolla fillore e mbaruar. Shembull kemi gra në moshën 50 vjeçare, për të cilat do të jetë vendi i parë të punës”, thotë Spahiu.
OYA tashmë veçse ka 20 kujdestarë të licencuar dhe një numër personash për të cilët presin vendim nga Qendra për Punë Sociale dhe me shumë gjasa javën tjetër do të fillojnë me punë.
“Ligjërisht nga Qendra për Punë Sociale kanë të drejtë 20 ditë deri 30 ditë të japin vendim, po sipas atyre si na thanë, deri javën tjetër presim të na japin vendimet edhe të fillojmë”, thonë nga OYA.
30 000 euro investim nga BERZH
“Homecare” është pjesë e Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale, të cilin e realizon Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS), por e financon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
OYA ka aplikuar në shpalljen e hapur të MPPS që vlen për të gjitha komunat, që të përmirësojnë shërbimet shoqërore dhe vetëm për këto dy komuna janë paraparë 30 000 euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
“Ka dy pjesë të fondeve, fillimisht është rreth 1 800 000 denarë për parapërgatitje, aty përfshihet trajnimi i kujdestarëve, përfshihet koordinatori për 6 muaj, përfshihet renovimi i zyrës, etj. Pjesa tjetër e fondit, një pjesë e madhe shkon për blerjen e uniformës dhe aparaturave, domethënë për matjen e shtypjes, matjen e sheqerit, temperaturën, ndihmën e parë, pastaj është uniforma e kujdestarëve, janë mobilje për zyrën, rinovimi i zyrës, këto janë. Jo të gjitha fondet janë lëshuar se kishte edhe pjesë për automobil, po atë nuk e përdorëm ne, ne dikund kemi përdor rreth 20 000 euro edhe pse janë lëshuar 30 000″, thotë Spahiu.
Zyra në fjalë gjendet në ish kolegjin “Yahya Kemal” në Gostivar, ku ka pasur hapësira të papërdorura disa vjet. OYA është marrë vesh me komunën dhe në Këshill ka kaluar vendimi që t’u jepet një zyrë, një klasë rreth 50-60 m2, të cilën ato e kanë rinovuar.