Komuna e Kërçovës më shumë para harxhon për dëmshpërblime për të kafshuarit nga qentë endacakë sesa për trajtimin e qenve

Vetëm për një vit, Komuna e Kërçovës ka harxhuar shumë para për dëmshpërblime për kafshuarit nga qentë endacakë sesa trajtimin e qenve. Sipas dhënave ka siguruar Portalb.mk,  gjatë vitit 2022 komuna ka ndarë 1.2 milionë denarë apo 19.500 euro për çështjen e trajtimit qenve endacakë, ndërkaq ka dhënë afër 7 milionë denarë, apo mbi 110 mijë euro dëmshpërblim për personat cilët janë kafshuar nga qentë endacakë. Përderisa është rritur dhe numri i kafshimeve, Komuna thotë që ende nuk ka gjetur lokacionin për të ndërtuar një strehimore, me të cilën pritet të zbutet problemi me qentë endacak, shkruan Portalb.mk.

Paratë që Komuna e Kërçovës i ka harxhuar për një vit për dëmshpërblim të të dëmtuarëve janë thuajse mbi pesë herë më shumë sesa paratë që i ka harxhuar për një vit për trajtimin e qenve endacakë. Emilija Petkoska, nga Sektori për Mjedis Jetësor i Komunës së Kërçovës shprehet se sasia e parave që një i kafshuar mund t’i merr është nga 25.000 deri në 40.000 denarë.

“Nëse i dëmtuari i posedon provat e nevojshme për dëmin që e ka përjetuar dhe ka aprovim nga Komuna e Kërçovës atëherë mund të dëmshpërblehet”, tha Petkoska.

Nga ana tjetër, të dhënat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme të RMV-së tregojnë se numri i personave të kafshuar nga qentë endacak në qytetin e Kërçovës gjatë nëntë viteve të fundit, gjegjësisht që nga viti 2015 deri në gusht të vitit 2023, është pesëfishuar. Në vitin 2015  janë regjistruar vetëm 31 raste të kafshimeve nga qentë endacak, ndërkaq deri një muaj më parë, ka pasur 155 raste të regjistruara.

Viti me më shumë kafshime të regjistruara nga qentë endacakë është 2022, me 237 raste.

Numri i personave të kafshuar nga qentë endacakë në Komunën e Kërçovës,Infografik
Numri i personave të kafshuar nga qentë endacakë në Komunën e Kërçovës, Infografik

Plan pa afate

Në ueb faqen e Komunës së Kërçovës ka një dokument me emrin “Plan dhe Program për zgjidhjen e problemit me kafshët e pa strehë në territorin e Komunës së Kërçovës” në të cilin nuk ka data dhe afate konkrete për masat që janë përshkruar se ndërmerren për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Në të përshkruhet dhe procesi i kapjes së qenve, sterilizimi i tyre, vaksinimi, regjistrimi i tyre dhe pastaj lëshimi i tyre në territorin ku jetojnë.

E pyetur nga Portalb.mk, a është në fuqi plani në fjalë, dhe cilat janë masat konkrete që janë ndërmarrë, Petkoska tha shkurt se për këtë vit vlen ky plan dhe se çdo vit përgatit plan program, i cili shqyrtohet nga kryetari i Këshillit të Komunës dhe publikohet në ueb faqen e komunës.

“Numri i qenve zvogëlohet vetëm me sterilizim ndërkaq çdo vit bëhet rinumërimi i tyre gjatë përgatitjes së programit”, thotë Petkoska, në lidhje me atë se a është ulur apo zvogëluar numri i qenve endacak. Ajo shtoi se sterilizimi kryhet çdo vit dhe se komuna bashkëpunon me stacionin veterinar “Zebra” për trajtimin e qenve.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Kërçovës, Skënder Xhabiri  për Portalb.mk tha se problemi me qentë endacak ekziston me vite dhe jo vetëm në qytetin e Kërçovës por në të gjithë shtetin, dhe çka e bën edhe më të vështirë kontrollimin e këtij problemi është edhe mbartja e qenve endacak nga qytetet e tjera dhe lëshimi i tyre në qytetin e Kërçovës.

“Problemi me qentë endacak ekziston jo vetëm te ne por edhe në tërë vendin, çka e bën këtë edhe më të vështirë është mbartja e tyre nga qytetet tjera dhe lëshimi në qytetin e Kërçovës”, tha Xhabiri.

Komuna mori grant, por nuk i harxhoi për trajtimin e qenve

Në vitin 2020, Komuna e Kërçovës ka marrë një grant prej 300 mijë eurove për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak. Kryetari i Komunës së Kërçovës në vitin 2020 tha se kjo strehimore do të ndërtohet deri në muajin mars-prill të vitit 2021.

“Kemi fituar një grant mbi 300 mijë euro dhe kemi hartuar një projekt për hartimin më serioz apo strehimin e qenve endacak, stacionar për trajtimin e qenve endacak dhe shpresoj që vitin e ardhshëm apo fillimi i vitit të ardhshëm qoftë muaji mars prill nuk dua të kalojë më shumë se muaji maj të fillojmë me realizimin e këtij projekti”, tha për TV 21, Dehari.

Mirëpo kjo strehimore nuk u ndërtua.

Për Portalb.mk nga Komuna e Kërçovës thanë se paratë që u morën nga programi i kompanisë TAV për investime në infrastrukturë  për ndërtimin e strehimores për qentë janë harxhuar në dy projekte tjera për shkak se Komuna e Kërçovës nuk ka pronë shtetërore për ndërtimin e strehimores.

“Granti ishte i ndarë nga TAV Maqedoni dhe me afat të paraparë të realizimit. Fillimisht, nga Komuna e Kërçovës, granti ishte i destinuar për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, mirëpo për shkak të mospasjes së lokacionit (tokë në pronë shtetërore) për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, si dhe duke pasur parasysh se ishim të kufizuar në kohë për realizimin e mjeteve, granti i fituar u ridestinua për realizimin e dy projekteve tjerë infrastrukturorë të qytetit: sheshi i qytetit dhe morgu i qytetit.”, thanë nga Komuna e Kërçovës.

Siç thonë nga komuna, sa i përket mospasjes së lokacionit, janë në bisedime me Komunën e Makedonski Brod-it që ata të sigurojnë tokë për ndërtimin e strehimores.

“Me Makedonski Brod-in kemi rënë dakord për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë, që të realizohet në territorin e tyre.  Për momentin ata janë në procedurë për ndryshimin e planeve urbanistike të Makedonski Brod-it, për dedikim të tokës ndërtimore për realizimin e këtij aktiviteti, gjegjësisht strehimores së përbashkët për qentë endacakë me Makedonski Brod-in.”, thanë nga komuna e Kërçovës.

janar të këtij viti, kryetari i Komunës, Fatmir Dehari u shpreh se është takuar me kryetarin e komunës së Makedonski Brodit dhe janë dakorduar për ndërtimin e një strehimore të përbashkët.

Kërçova me vite ballafaqohet me problemin e qenve endacakë, madje nga kafshimi i tyre ka pësuar një fëmijë 4 vjeçar. Mospasja e kushteve adekuate për menaxhimin e situatës me qentë endacakë ekziston edhe në komuna të tjera të Maqedonisë së Veriut kryesisht të banuara me shqiptarë.