Prishtinë, u shpalos instalacioni për të zhdukurit e luftës, “Dera e Pritjes”

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR-Kosovë) ka mbajtur një aksion rrugor të quajtur “Dera e Pritjes”, raporton Anadolu.

Pjesëtarë të kësaj iniciative kanë vendosur një dhomë të improvizuar në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Në këtë dhomë, kalimtarët e rastit do të kenë mundësinë të shohin një tepih, një tavolinë mbi të cilën ka një orë dhe dy karrige anash, kurse në prapavijë është vendosur një derë e ngjyrosur me të zezë.

Ky instalacion ka për qëllim të tregojë pritjen e gjatë të familjarëve për më të dashurit e tyre të zhdukur në periudhën e luftës së fundit në Kosovë 1998-99, fati i të cilëve ende nuk dihet.

Visar Cikaqi nga YIHR tha se sot është një ditë solidarizimi, por po aq edhe një ditë që thërret për kritikë, llogaridhënie dhe veprime të menjëhershme.

“Nuk mund të mendojmë për të ardhmen, zhvillimin e Kosovës, demokracinë dhe paqen, për bashkëjetesën kolektive, për shërimin kolektiv, pa ballafaqim të mirëfilltë me të kaluarën. E kaluara jonë është e errët, ashtu si dera e pritjes”, tha ai, duke shtuar se kjo derë simbolizon agoni, trishtim dhe pikëllim.

Që nga paslufta e vitit 1999, në Kosovë vazhdon të mos dihet fati i mbi 1.600 personave. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë konsiderojnë se moszbardhja e fatit të të zhdukurve po ndodh “për shkak të neglizhencës së autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë”.