Prej sot qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë kanë qasje të lirë në tregun e punës në “Ballkanin e Hapur”

Qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë prej sot mund të përdorin masën Qasje e lirë në tregun e punës në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, njoftoi Qeveria. Masa rrjedh nga marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara ndërmjet tre vendeve anëtare të nismës Ballkani i Hapur dhe synon të kontribuojë në realizimin e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të vetë iniciativës, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës maqedonase, shqiptare dhe serbe duhet së pari të marrin një numër identifikimi të Ballkanit të Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre dhe më pas të aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy shtetet e tjera.

Procedura zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike dhe zgjat deri në 30 ditë, informon Qeveria.

Pasi qytetarët e Maqedonisë të hyjnë në uslugi.gov.mk dhe të paraqesin kërkesë për lëshimin e një numri identifikimi për Ballkanin e hapur (BH ID), i cili gjenerohet menjëherë, hapi tjetër është përdorimi i atij numri për të aplikuar për Certifikatë të Qasjes së Lirë në Tregun e Punës në Serbi (në këtë link) ose në Shqipëri (në këtë link).

Procedura është përshkruar plotësisht dhe në detaje në dy linqet vijuese:Link 1 dheLink 2.

“Kjo masë i kontribuon progresit dhe prosperitetit ekonomik, duke marrë parasysh rëndësinë e fushës së lëvizjes së punëtorëve. Masa është plotësisht e harmonizuar dhe respekton zbatimin e ligjit të BE-së në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe përgatitjes për integrim më të afërt të tregut të përbashkët të BE-së”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me lajmet dhe lehtësirat, qytetarët pritet të kenë qasje shumë më të shpejtë dhe më të lehtë në mundësitë e punës në të tre shtetet.

Që nga momenti i sigurimit të qasjes në tregun e punës, në të gjitha fazat vijuese që përfshijnë negociatat për punë, punësim dhe sigurim pensional-shëndetësor, të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve dhe kompanive mbeten të pandryshuara, pra të njëjta si më parë, në përputhje me legjislacionin kombëtar.

Me fillimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, personave që do të marrin BH ID-në u lejohet qëndrimi i pandërprerë prej dy vitesh gjatë të cilit kanë të drejtë të gjejnë punë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.