Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria nënshkruan Protokollet për qasje të lirë në tregun e punës

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të kenë qasje të lirë në tregun e punës në këto tre shtete, për të cilat sot u nënshkruan Protokollet për Qasje të Lirë në Tregun e Punës në vendet e Ballkanit të Hapur, raporton Portalb.mk.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, me kolegët e tij nga Serbia dhe Shqipëria, nënshkruan Protokollin për ndërlidhjen e skemave elektronike të identifikimit për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Agjencisë për Punësim, Vedat Osmani, së bashku me kolegët e tij nga Serbia dhe Shqipëria, nënshkruan Protokollin e parë për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

“Me këto protokolle kanë përfunduar hapat e nevojshëm ligjorë për fillimin e masës, ndaj mbetet për t’u realizuar testet teknike përfundimtare dhe rregullimet brenda sistemeve të shërbimeve elektronike në të tre vendet”, informojnë nga Qeveria e RMV-së.

Masa pritet të vihet në dispozicion të qytetarëve gjatë muajit mars 2024.

Sipas Qeverisë së vendit, nënshkrimi i dy protokolleve nënkupton gjithashtu detyrim ligjor të ndërsjellë për të filluar qasjen e lirë në tregun e punës.

Nga atje shtojnë se ky projekt është në përputhje me misionin e bashkëpunimit, dhe zbatimin e katër lirive, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

“Me qëllim të sigurimit të progresit dhe prosperitetit ekonomik, duke marrë parasysh rëndësinë e lëvizshmërisë dhe lëvizjes së punëtorëve, dhe duke respektuar zbatimin e ligjit të BE-së në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve dhe përgatitjen për integrim më të ngushtë në tregun e përbashkët të BE-së, ne lejojmë thjeshtimin e procedurave për qasje të lirë dhe të barabartë në tregun e punës”, përfunduan nga Qeveria e RMV-së.

Kujtojmë që sot në Shkup, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm u mblodhën për të diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.